Sport Liverpool turpëron Arsenalin me “poker”

Liverpool turpëron Arsenalin me “poker”

Liverpool ka treguar dhëmbët. Të besuarit e Jurgen Klopp kanë bërë një ndeshje perfekte duke i shkaktuar një nokaut të rëndë Topçinjve.

Një paraqitje spektakolare e vendasve të cilët e kanë dominuar sfidën nga minuta e parë e deri tek e fundit, duke keqtrajtuar djemtë e Arsene Wenger.

Londinezët u duk sikur kishin ardhur në Liverpool për shëtitje, me “The Reds” që dominuan ndeshjen aq sa goli i Firminos në të 17-tën u duk sikur erdhi shumë vonë, pasi vendasit kishin shpërdoruar vërtetë shumë raste deri në ato momente.

Arsenali jo vetëm që nuk u zgjua nga goli i pësuar por përkundrazi vazhdoi të vuante lojën e shpejtë të ekipit të Klopit, që në pushim shkoi në epërsi të dy golave falë dhe një finalizimi të përsosur të Manes.

U duk që në minutat e para që Liverpool ishte më mirë dhe protagonistë ishin treshja e frikshme e sulmit.

Salah humbet një rast të pafalshëm në minutat e para ndërsa ishte Firmino ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 17’.

Nënta false e Klopp përgatiti golin e dytë për Mane, i cili dyfishoi rezultatin pak përpara se të përfundonte pjesa e parë. pas pushimit Wenger ndërhyn duke përforcuar sulmin, çka do të thotë se ka sakrifikuar në ekuilibrat e skuadrës.

Dhe kjo ra menjëherë në sy, sulmuesit e shpejtë të Liverpool gjatë pjesës së dytë kishin shumë hektarë hapësirë në gjysmëfushën e Arsenal sa herë që dilnin në kundërsulm.

Dhe pjesa e dytë kishte vetëm një protagonist, ai quhet Salah.

Në minutën e 57’ ai i vjedh topin kundërshtarit pas një goditje këndi në gjysmëfushën e tij dhe vrapon i vetëm drejt portës së Cech, i cili po priste i pashpresë në portën e tij. Salah këtë herë nuk gabon, duke goditur topin në rrjetë me qetësi të madhe.

Më pas futet Sturridge i cili ka fatin e mirë të luajë përkrah Salah, me egjiptianin që jep një kros perfekt për anglezin i cili e ka shumë të lehtë ta shtyjë topin në rrjetë me kokë.

Një Liverpool bindës, i frikshëm dhe shumë i rrezikshëm në sulm. Nëse do të rregullonte problemet që ka ndaj skuadrave të vogla, në letër, Të Kuqtë do të luftonin për titullin kampion bashkë me United.