Sport Liverpooli i pamposhtur, i prish festën Man. United në “Old Trafford”

Liverpooli i pamposhtur, i prish festën Man. United në “Old Trafford”

Liverpooli mbetet i pamposhtur në Premier League, por “The Reds” prishin serinë e fitoreve radhazi në këtë fillim sezonin në “Old Trafford”, ku u ndalën në barazim 1-1 me Manchester United.

Derbi i Anglisë dhuroi spektakël dhe emocione, por dhe momente të diskutueshme të vendosura nga sistemi “VAR”.

Golit të Marcus Rashford, të shënuar në minutën e 36-të, iu përgjigj Adam Lallana pak para fundit. Në të dy rastet u kërkua ndihma e teknologjisë, por nëse për rrjetën së Liverpoolit askush nuk kishte pretendime për vendimin e VAR-it, për golin e “Djajve të Kuq” trajneri Jurgen Klopp protestoi për një kohë të gjatë te gjyqtari i katërt, duke reklamuar një ndërhyrje të parregullt ndaj Origit para se të niste kundërsulmi vrasës i vendasve.

Në fakt, Liverpooli realizoi një tjetër gol kur rezultati ishte 1-0, por në këtë rast u pa qartë se Mane e kishte kontrolluar topin me dorë para se ta dërgonte në rrjetë.

Liverpooli edhe pas këtij barazimi kryeson i vetëm, me 25 pikë, por diferenca me ndjekësit e City-t është ngushtuar në 6 pikë.

Nga ana tjetër, një pikë në “Old Trafford” ndaj kryesuesve vlen më shumë për moral për “Djajtë e Kuq”, që kanë rrëshqitur në vendin e 13-të me vetëm 10 pikë.