Sport Liverpooli ngjitet sërish në krye, Arsenali humb në derbin londinez

Liverpooli ngjitet sërish në krye, Arsenali humb në derbin londinez

Liverpooli është rikthyer sërish në krye të renditjes në Premier league, pasi fitoi me rezultatin 0-2 në transfertën uellsiane ndaj Cardiffit.

Të besuarit e Jurgen Klopp dominuan totalisht sfidën, duke kontrolluar topin për më shumë se 3/4-ën e lojës, ndonëse golin e avantazhit e gjetën pas 57 minutash lojë.

Ishte mesfushori holandez Wijnaldum që zhbllokoi sfidën për “The Reds”, pas një asisti të Alexander-Arnold, ndërsa sfidën e vuri në kasafortë James Milner me një 11-metërsh në minutën e 81-të.

Me këtë fitore, Liverpooli shkon në kuotën e 88 pikëve, ndërsa ka edhe 3 ndeshje për të luajtur. Vetëm dy pikë më pak se “the reds” ka Manchester City, që ka në dispozicion një ndeshje më shumë, por e radhës do të jetë derbi ndaj Unitedit.

Në sfidat e tjera të ditës së sotme, Manchester United dhe Arsenal hodhën hapa falsë në garën për një vend në zonën Champions. Kështu “djajtë e kuq” humbën me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Evertonit në transfertë, ndërsa Arsenali humbi derbin ndaj Crystal Palace me rezultatin 2-3.