Aktualitet “Llalla mbajti peng 280 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë, iu bëhej...

“Llalla mbajti peng 280 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë, iu bëhej presion nga prokurorët të paguanin…”

Emisioni “Java” në RTSH solli mbrëmë në vëmendje të publikut një fakt skandaloz.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë përgjatë pesë viteve të fundit rreth 280 kallëzime për ndjekje penale të zyrtarëve të ndryshëm, të mesëm e të lartë, që kanë rezultuar me shkelje dhe abuzime gjatë kontrolleve të ushtruara nga ky institucion.

“Statistikat tregojnë se shumica dërmuese e këtyre kallëzimeve ose janë shpërfillura, ose janë mbyllur, ose janë mbajtur pezull nga prokurorë të korruptuar për t’u bërë presion të denoncuarve të paguajnë”,nënvizuan analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli.

“Prokuroria e Llallës e bëri rrugë injorimin në këtë formë të kallëzimeve nga KLSH”, deklaroi gazetari investigativ, Artan Hoxha.

“Lajmi i mirë është se Prokuroria po kthen vëmendjen nga kallëzimet e KLSH-së, që nuk janë investigime apo denoncime spontane, por të mbështetura në audite profesionistesh që paguhen për këtë detyrë, raportet e të cilëve kalojnë në disa shkallë verifikimi para se të zyrtarizohen si kallëzime penale.

Po duhet të shohim a është një reagim stinor që ka lidhje me frymën e krijuar nga reforma në drejtësi, apo jemi përpara një zhvillimi të ri kur institucionet e kontrollit, të policisë dhe drejtësisë bashkëpunojnë ngushtë kundër korrupsionit”, tha Preç Zogaj.

Gazetari Lorenc Vangjeli paralajmëroi ndjekjen çdo javë të fatit të kallëzimeve konkrete që ka bërë KLSH në organin e Prokurorisë.