Kryesore Llalla, prokurorëve: Mos u ndikoni nga Vettingu, hetoni në Dogana dhe Tatime

Llalla, prokurorëve: Mos u ndikoni nga Vettingu, hetoni në Dogana dhe Tatime

Kryeprokurori Adriatik Llalla ishte sot në Shkodër në takim me prokurorët e këtij rrethi.

Ai tha se reforma në drejtësi ka krijuar vakum për momentin, derisa të krijohen institucionet e reja.

Ai foli edhe për ngarkesë të punës së prokurorëve sidomos me dosjet e hashashit, ku në shumë raste autorët kanë mbetur pa u zbuluar.

Llalla e vuri theksin edhe tek Vetingu, duke u bërë thirrje prokurorëve që të mos ndikohen.

Ai kërkoi hetime në Tatime e Dogana, ku sipas tij, janë abuzimet më të mëdha.

Më poshtë fjala e Adriatik Llallës në prokurorinë e Shkodrës:

Reforma në Drejtësi është një moment i rëndësishëm i funksionimit të institucionit tonë. Ligjvënësit kanë vlerësuar krijimin e strukturës së posaçme, që do të bëjë të mundur decentralizimin e prokurorisë.

Vendimmarrja do ti takojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe strukturës së posaçme të inspektimit. Derisa të ngrihen këto njësi të reja, inspektimet do ti kryejë Prokuroria e Përgjithshme.

Me ligjin e ri shpresojmë të plotësohet numri i prokurorëve pasi ka ngarkesë të madhe pune. Siç e dimë për momentin nuk bëhen emërime apo transferime të prokurorëve, pasi priten strukturat e reja.

Ka një ngarkesë përsa i përket dosjeve për kultivimit të kanabisit, sidomos në qarqet e Lezhës dhe të Shkodrës. Po kështu edhe rastet nën hetim për shpërdorim detyre të punonjësve që abuzojnë me detyrën.

Duhet të rriten hetimet për veprat penale të korrupsionit kryesisht në Taksa dhe Dogana, pasi është shtuar abuzimi në këto sektorë.

Vetingu nuk mund të përdoret për ti imponuar vendimmarrjet. Hetimet duhet të jenë të pavarura dhe gjithnjë në zbatim të ligjit.