Aktualitet Lleshaj: Drejtuesit e universiteteve të garantojnë vijueshmërinë e mësimit

Lleshaj: Drejtuesit e universiteteve të garantojnë vijueshmërinë e mësimit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri thirrje drejtuesve të universiteteve që të punojnë për të lënë të lirë ambientet universitare.

Lleshaj tha se kishin qenë drejtuesit e Universiteteve që kishin kërkuar ndërhyrjen e policisë.

“Ne kemi pasur këto ditë shqetësime për bllokimin e universiteteve. Mbrëmë ka pasur një kërkesë nga drejtuesit e universiteteve për ndihmë për të liruar mjediset që janë zënë me barrikada të improvizuara nga një grup i vogël personash. Veprimet janë bërë nga policia private, dhe policia e ka mbështetur nga larg. Garancia që u jepet dhe paprekshmëria universitare do të thotë paprekshmëri nga çdo formë e dhunës. Është detyrë e drejtuesve të universiteteve që ato të mbeten zona të lira për këdo.

Gjej rastin të ftoj drejtuesit e universiteteve që janë prekur nga këto fenomene të bëjnë kujdes të ruajnë universitetet nga çdo formë dhunimi në mënyrë që të garantojnë vijueshmërinë e pandërprerë të programit mësimor.

Dua tu them atyre personave që kanë vendosur këtë formë proteste, i mirëkuptoj thirrjet entuziaste: Universiteti është i ynë! Se universiteti është i tyre, por edhe i yni dhe duhet që të kujdesemi që ti lëmë universitetet zona të lira akademike e debati”.