Kryesore Lleshaj: Grabitësit e Rinasit në celula terroriste. Berisha po i mbron

Lleshaj: Grabitësit e Rinasit në celula terroriste. Berisha po i mbron

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij Parlament ka vlerësuar mënyrën se si ka reaguar policia shqiptare për grabitjen e ndodhur më 9 prill në Aeroportin e Rinasit, duke i cilësuar autorët e saj tejet të rrezikshëm madje të përfshirje në celula terroriste. Kjo ishte deklarata më e fortë e ministrit të Brendshëm, që e cilësoi si sukses të policisë zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi vendin tre javë më parë.

“Një bandë që ka arritur të krijojë problematika të mëdha në disa vende jo vetëm në Shqipëri, por në Greqi dhe Kosovë, ku ka vjedhur banka, ka thyer burgje ka sulmuar me armë policinë e shtetit ka lidhje të dokumentuara me celula terroriste të rrezikshme dhe mbeteet për në të gjithë dhe publikun që të mbahet në vëmendje kjo situatë që është aq pazakontë dhe aq të papranueshme”, deklaroi Lleshaj në fjalën e tij.

Ministri gjithashtu ka folur dhe për qëndrimet e mbajtura nga opozita për këtë grabitje, duke u fokusuar më tepër te reagimet që ka mbajtur ish-kryeministri Sali Berisha për këtë ngjarje, i cili i ka cilësuar arrestimet false, pasi lekët që janë vjedhur, sipas tij, i ka shteti.
“Sulmi ndaj Policisë së Shtetit është shenjë e këtij dëshpërimi të madh në përpjekjen për të mbijetuar në kushtet e një reforme që e bën të vështirë mbijetesën e atyre që kane borxhe me ligjin… Edhe në këto kushte vijon një sulm që po kryesohet nga një person që unë i kam vënë një emër, Haxhi Mileti.

Ata që e kanë lexuar Kadarenë e dinë kush është Haxhi Mileti. Vijimi me konsistencë i sulmit të këtij personi ndaj Policisë së Shtetit, nuk është thjesht sulm verbal dhe retorik, por është një përpjekje për të intimiduar procesin e një hetimi që po zhvillohet nga policia dhe prokuroria duke bërë në një mënyrë krejt të hapur avokatinë e një ndër bandave më të rrezikshme me të cilën është ndeshur Policia e Shtetit”, tha më tej Lleshaj në Parlament.