Ekonomi Lojërat e fatit, projektligji mbyll bastet sportive dhe garat, bingot televizive “mbijetojnë”

Lojërat e fatit, projektligji mbyll bastet sportive dhe garat, bingot televizive “mbijetojnë”

Shpërndaje

Një ditë pas daljes së kryeministrit Edi Rama në një konferencë për shtyp ku deklaroi mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive në zonat e banuara deri më 31 dhjetor 2018 janë bërë publikë edhe vendimet respektive për këtë hap. Janë të paktën dy projektligje dhe një vendim që sanksionojnë masat e deklaruara nga kryeministri lidhur me biznesin e kumarit. Të paktën në njërin prej projektligjeve “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” nënvizohet se tek pjesa e dispozitave kalimtare shtohet pas pikës 2 pika 2.1. Pika 2 e dispozitave kalimtare sanksionon se: “Organizatoret e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2018”. Afati i parë ishte 31 dhjetori 2016 por ai u shty pas lobimit në Kuvend të disa deputeteve dhe votimit nga mazhoranca.

Në pikën 2/1 që është edhe risia që shtohet në pjesën e dispozitave kalimtare thuhet se : ”Organizatorët e kategorive “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë” do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten”

Kjo do të thotë se nuk do të ketë më baste sportive dhe as baste për garat në pistë.

Sakaq ka ndryshime edhe në pikën 3 të dispozitave kalimtare.

Kjo pikë aktualisht është:  Organizatorëve të kategorive Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016.

Me ndryshimin e propozuar bëhet: Organizatorët e të kategorisë “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016”

Kjo do të thotë që kategoria e bingove televizive i shpëton furtunës kundër kumarit të nisur nga qeveria dhe afati i licencës së tyre ka filluar që nga viti 2016 ndërkohë që kohëzgjatja e saj është 10 vjeçare.

Sipas ligjit “”Bingo televizive” është loja, e cila bëhet publike nëpërmjet medias televizive dhe nga hedhja e shortit dalin aq numra sa nevojiten për të pasur një fitues. Në këtë lojë, pjesëmarrësit me biletat e blera të hedhura në treg nga organizatori përmbajnë një grup numrash, pjesë përbërëse të një grupi tjetër të caktuar numrash.

Sakaq në faqen e kryeministrisë është bërë publik edhe vendimi që pezullon aktivitetin  e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit deri në ristrukturimin e tij.