Kryesore Lojërat e fatit, rrëzohet amendamenti i Braçes për rritjen e TVSH-së

Lojërat e fatit, rrëzohet amendamenti i Braçes për rritjen e TVSH-së

Shpërndaje

Shumica parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, në kuadrin e ligjit për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2019, që po votohet nen për nen në seancën plenare të kësaj të hëne.

Deputeti socialist Braçe propozoi rritje të TVSH-së për kazinotë, që do ta zhvendosin prej janarit të vitit të ardhshëm veprimtarinë e tyre vetëm në hotele me 5 yje, nga 15% që është aktualisht në 30%.

Por, kjo u refuzua me votë nga shumica parlamentare, kryesisht bashkëdeputetë socialistë.

Kryeministri Rama mori menjëherë fjalën në këtë rast, për të sqaruar se një gjë e tillë bëhet pasi “nuk mund të rrisim një taksë për diçka që nuk e kemi për momentin”.

Me këtë ai iu referua mungesës së një hoteli realisht me 5 yje, ndërkohë që shtoi se sot, qeveria ka 15 kërkesa interesi nga brande të ndryshme ndërkombëtare që duan të investojnë në Shqipëri.

Rama vlerësoi si shumë pozitive debatet që janë bërë gjatë seancës, por edhe përpara saj, pasi sipas tij Parlamenti ka nevojë për opozitë.