Kryesore Lokali pa leje i Mihalit, ngritur mbi themelet e kishës 800-vjeçare

Lokali pa leje i Mihalit, ngritur mbi themelet e kishës 800-vjeçare

Gjatë shembjes së lokalit “Panorma” pa leje të Mihal Kokëdhimës, në Porto Palermo të Himarës janë gjetur pranë themeleve të tij fragmentet e një monumenti me rëndësi historike.

Bëhet fjalë për rrënojat e një kishe, për të cilën arkeologët hedhin hipoteza se daton 800 vjet më parë.

Në vitin 2017, arkeologët të shqetësuar nga fakti se pranë monumentit ishte ngritur një lokal kanë bërë disa fotografi. Vihet re se pranë mureve të kishës, i zoti i lokalit kishte preferuar të vendoste koshin e plehrave, duke injoruar fragmentet e mureve të vjetra.
Nuk dihet nëse janë përdorur gurët e saj për ndërtim, por drejtoria e monumenteve në Vlorë ka shkuar bashkë me përfaqësues të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë për të certifikuar rrënojat e kishës.

Gjatë shembjes nga IKMT-ja të ndërtesës së ngritur nga Mihal Kokëdhima u gjet edhe një amforë, por nga drejtoria e Institutit të Monumenteve në Tiranë deklaruan se bëhej fjalë për një imitacion.

Ndërkohë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në Vlorë, Orgest Feimi, pohon se një grup pune nga drejtoria kanë shkuar në rrënojat e lokalit të Mihal Kokëdhimës së bashku me përgjegjësit e sektorit të artit dhe të monumenteve, pasi janë njoftuar se kanë parë disa mure të vjetra, ku pretendohet se është një kishë e vjetër.

Sipas vlerësimeve paraprake të specialistëve, bëhet fjalë për një kishë katërkëndore. Për banorët e zonës, kjo kishë edhe e shembur ka pasur një rëndësi të veçantë sepse konsiderohej si vend i bekuar.

Braktisja e saj mendohet të ketë ndodhur për shkak të ngritjes së Kalasë së Palermos që ndërtoi Ali Pashë Tepelena.

Ky restorant funksiononte pa leje prej shumë vitesh, teksa pronari i saj Mihal Kokëdhima ishte dënuar më herët për ndërtim pa leje dhe vjedhje të energjisë, pa bërë asnjë ditë burg.