Sport Londër, Italia po vjen, për të qëndruar

Londër, Italia po vjen, për të qëndruar

Stefano Barigelli*

Londër, Italia po vjen! Nuk kishte Belgjikë që mund ta ndalte këtë Itali të bukur, që di të luajë, të sulmojë, të mbrojë, të vuajë. Të kaltrit janë në gjysmëfinale, një rezultat i merituar, i ndërtuar me mund, që e çon aty ku duhet të qëndrojë Italinë, prej një shekulli një lidere e futbollit. Mancini diti të hidhte tutje vite zhgënjimesh e madje poshtërimesh, duke rikthyer në një kohë, relativisht të shkurtër, krenarinë, identitetin, bindjen.

Italia e tij është një skuadër, një grup i bashkuar, perfekt në ekuilibrat në fushë dhe jashtë. Nuk ka asnjë lojtar që nuk ndihmon shokun e skuadrës, kur është në vështirësi; nuk ka asnjë që të tregohet egoist më shumë sa lejohet; nuk ka asnjë lojtar që të mos i shkëlqejnë sytë kur shokut të skuadrës i del një veprim i bukur. Mancini nuk ka fenomenë, por, të bashkuar, ata bëhen. Një parim i thjeshtë, modern, e megjithatë i vështirë për t’u realizuar.

Në gjysmëfinale shkon skuadra më e mirë, mjafton të shikosh numrat për rekord të të kaltërve: 32 ndeshje pa humbje. Një seri që vazhdon edhe në një kompeticion të fortë, duke mundur kombëtare që janë në kulmin e tyre, siç ishte Belgjika.

Avantazhi i dyfishtë i vuri vulën një pjese të parë të kontrolluar, Barella më parë dhe Insigne më pas shpikën dy gola mbi të cilët janë firmat e tyre. Ai i interistit, një përqendrim force dhe teknike, ai i napolitanit, më klasiku i repertorit të tij, goditje me të djathtë ku as gjatoshi Courtois nuk mund të arrinte.

Për Barellan dhe Insingen, më në fund lulëzon edhe ky Europian, dy perlat e tyre jo vetëm fituan ndeshjen, por janë një premtim për të ardhmen. Për t’i vështirësuar jetën italianëve Di Lorenzo bëri një veprim naiv ndaj Doku, duke hapur ndeshjen atëherë kur Italia dukej se e kishte mbyllur.

Belgjika me De Bruyne dhe Lukakun është një skuadër e madhe, skuadra e Martinez luan një futboll të thjeshtë, shumë efikas, që shfrytëzon shpejtësinë dhe mban vendin e parë në klasifikimin e FIFA-s, por Italia këtë të premte ishte superiore. Paguan suksesin me dëmtimin e Spinazzolas, një prej surprizave të këtij Europiani, por gjithsesi një grup kaq në formë sa ky i të kaltërve, duket se është në gjendje të përballojë çdo problem.

Tani, mes tyre dhe finales, të martën e ardhshme është në mes Spanja, që u lodh shumë ndaj Zvicrës të cilën Italia e mposhti lehtësisht në grup. Nuk ka më thuajse asgjë, përveçse ndonjë vezullimi nga Spanja e madhe e disa viteve më parë. Por ka Luis Enriquen në stol, i cili e di se si fitohet. Skuadra e tij, në fakt, është përmirësuar dalëngadalë gjatë turneut, dhe shihet aty dora e një trajneri të vërtetë. Nuk do të jetë shaka, por Italia, nëse do të dijë të qëndrojë siç është bërë, një skuadër e vërtetë dhe e bashkuar, nuk ka asgjë për t’u trembur. Londër, Italia po vjen, për të qëndruar deri në 11 korrik!

*Editorial i Gazzetta dello Sport