Politika LSI “largoi” Naçon, por jo Haxhinaston. Kryemadhi e prezanton për deputet në...

LSI “largoi” Naçon, por jo Haxhinaston. Kryemadhi e prezanton për deputet në Tiranë

Dy kanë qenë ish-ministrat më jetëgjatë të LSI-së. Nasip Naço dhe Edmond Haxhinasto. Naço e bëri zgjedhjen e tij deri diku të “detyruar” pas spostimit që i bëri LSI në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por për Edmond Haxhinaston, situata duket ndryshe, edhe pse ai me Naçon janë edhe krushq.

Jo pa qëllim, Monika Kryemadhi e filloi ditën me një mbledhje ‘kafeje’ me elektoratin e LSI-së në një nga zonat e Tiranës, duke qëndruar në krah të Haxhinastos.

“Kemi filluar prezantimin e të gjithë kandidatëve të LSI për deputetë, ndërkohë që edhe me profesor Edmond Haxhinaston që është kryetar i Grupit të Programit të LSI-së, po hartojmë dhe po përmbyllim përfundimisht programin e LSI-së, angazhimet tona, pikat tona kryesore të cilat janë të domosdoshme për të gjithë ne dhe që në fund të ditës janë ato për të cilat njerëzit kanë nevojë dhe që ne duhet të angazhohemi dhe duhet t’i qëndrojmë deri në fund premtimeve tona”, tha ajo.

Për Haxhinaston, takimi i sotëm ishte edhe një formë zyrtare e prezantimit në listat e ardhshme për LSI-në, edhe pse kohët e fundit dukej i mënjanuar.

“Profesor Haxhinasto është një nga hartuesit dhe drejtuesi i gjithë pjesës programore dhe ekonomike të LSI-së dhe e ka zhvilluar atë në bashkëbisedime edhe me grupet e interesit, por ne do të negociojmë gjithashtu edhe të gjitha ato pika që do të jenë të panegociueshme…”, tha Kryemadhi.

Në javën e parë të janarit, Nasip Naço, njoftoi publikisht largimin e tij nga LSI dhe afrimin me PS në krah të Blendi Klosit për qarkun e Beratit.

“Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike. S’ka nevojë për njerëz që janë vasalë të dikujt tjetër, por kanë nevojë të përfaqësojë një pjesë të elektoratit në Berat, i cili është i papërfaqësuar që kërkojnë që votat e tyre të shkojnë për të majtën progresiste. Eksperimentet janë të së kaluarës…”, u shpreh ai.