Aktualitet Luanin poker dhe vinin baste sportive, në pranga 11 persona

Luanin poker dhe vinin baste sportive, në pranga 11 persona

Policia ka arrestuar 11 persona në sajë të operacionit të koduar “Poker”. Bëhet e ditur se këta persona janë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:

Personat e arrestuar janë shtetasit Xh. S., 21 vjeç, K. A., 20 vjeç, H. Ç., 24 vjeç, Sh. G., 38 vjeç, B. Ç., 30 vjeç, D. C., 21 vjeç, A. A., 35 vjeç, të shtatë banues në Tiranë dhe E. Ç., 25 vjeç, S. M., 44 vjeç dhe F. K., 42 vjeç, të tre banues në Fier.

Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe pronari i lokalit, shtetasi H. T., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim.

“Nisur nga informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Haxhi Kika”, në ambientet e një lokali me pronar shtetasin H. T., ushtrohej veprimtari e kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit dhe se ky shtetas kishte venë në dispozicion të kësaj veprimtarie ambientet e lokalit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 organizuan operacionin dhe gjatë kontrollit të ushtruar, në orën 00:30, të datës 12.02.2020 kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasve të lartpërmendur, të cilët po ushtronin aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: një tavolinë e përshtatur për tavolinë pokeri, sasi lekësh dhe eurosh, fisha dhe letra bixhozi, një bllok me shënime për aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, një DVR, si dhe telefona që shërbenin për vënien e basteve sportive të palejuara”, thuhet në deklaratën e policisë.