Kulturë “Lufta e Trojës” sipas Elenës tonë

“Lufta e Trojës” sipas Elenës tonë

Historiania dhe studiuesja e njohur Elena Kocaqi ishte e ftuar mbrëmë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, nga ku foli për librin e saj “Lufta e Trojës, Luftë Pellazgo-Ilire”.

Studiuesja sjell fakte, sipas saj “të pakundërshtueshme”, që tregojnë se kjo luftë nuk është bërë mes akejve dhe trojanëve, por në të dyja kampet ishin në përgjithësi ilirë dhe pellazgë.

Arian Çani: Sipas të vërtetës tënde, Lufta e Trojës nuk është bërë nga grekët dhe trojanët, por nga shqiptarët dhe ilirët. A jam i qartë në këtë sintezë që po bëj?

Elena Kocaqi: Po, është një luftë mes vetë fiseve pellazge dhe ilire. Nuk ka etnicitet grek në atë kohë, siç mund të thuhet apo pretendohet. Flasim për 3200 vjet më përpara dhe vetë termi grek del në shekullin V nga Herodoti. Del 7-8 shekuj pas Luftës së Trojës dhe të përdorësh një term për një luftë që ka ndodhur 8 shekuj më parë është antishkencor dhe antihistorik.

Arian Çani: Elena një minutë, ti e di se çfarë je duke thënë? Ka mijëra vjet që kur thua Lufta e Trojës botës i shkon mendja tek grekët.

Elena Kocaqi: Ashtu është bërë në shekullin XIX dhe XX.  

Arian Çani: Ti papritur thua nuk ka patur grekë, ka patur pellazgë?

Elena Kocaqi: Pellazgë quhen. Unë kam cituar shumë autorë antikë, të cilët e kanë konsideruar flotën që rrethoi Trojën si flota pellazge dhe vetë dinastia e tyre, referuar autorëve antikë, dinastia e Trojës me dinastinë Akeje janë i njëjti popull dhe kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin.

Arian Çani: Një sekondë se më duhet ktitika këtu. Erald?

Erald Kapri: Është mitologji, jo histori kjo…

Arian Çani: Pra, këtu fillon konflikti jot i parë me Elena Kocaqin… Ma argumento këtë që the.

Erald Kapri: Kemi të bëjmë me mitologji, ende sot besohet se Lufta e Trojës është një përrallë.

Arian Çani: Elena thotë që nuk bëhet fjalë për grekë…

Erald Kapri: Po çfarë kanë qenë, shqiptarë?

Elena Kocaqi: Po t’i referohesh Omerit ti nuk ke përmendjen e emrit grek apo helen, që është e shekullit VII.

Erald Kapri: Por kjo nuk i bën shqiptarë…

Elena Kocaqi: S’po them që i bën shqiptarë, po them që i bën pellazgë dhe ilirë.

Erald Kapri: Në atë kohë ka patur lëvizje popullsie të jashtëzakonshme dhe se çfarë kanë qenë ne nuk e dimë akoma. Unë librin e kam lexuar dhe në të jepen fakte që nuk mbështeten në fakte historike.

Elena Kocaqi: Unë si historiane referoj autorët antikë.