Bota Lufta për hapësirën/ NASA akuzon Kinën: Po përgatit kolonizimin e Hënës

Lufta për hapësirën/ NASA akuzon Kinën: Po përgatit kolonizimin e Hënës

“Jemi shumë të shqetësuar nga fakti që Kina mund të zbresë në Hënë dhe të thotë: Tani është e jona, ju duhet ta harroni”. Fjalët nuk vijnë nga një serial fantastiko-shkencor, por nga një intervistë që kreu i amerikanes NASA, Bill Nelson, i ka dhënë ditët e fundit gjermanes “Bild”.

Nelson i referohet aktivitetit të përgatitjeve të anijeve kozmike Chang, që sipas tij po përgatisin zbritjen e astronautëve kineze në satelitin e planetit tonë brenda pak vitesh. Jo vetëm, ai mendon se planet e Pekinit shkojnë më tej, me ndërtimin e disa stacioneve hapësinore që në dukje të parë kryejnë thjesht eksperimente, por në fakt janë pararojat e kolonizimit.

Ministria e Jashtme kineze ka reaguar ashpër duke i cilësuar si provokime fjalët e Nelson, por aktiviteti gjithmonë e më ambicioz i Kinës në Hënë nuk mund të mohohet. Në 2019 anijet kozmike Chang lëshuan një “rover” eksplorues në sipërfaqen e kraterit Von Kraman, në Polin e Jugut të satelitit, një zonë që nga Toka nuk kemi mundësi të shohim kurrë me sy të lirë. Sipas vetë autoriteteve të Pekinit, eksperimentet aty sollën edhe një rezultat të jashtëzakonshëm, ku  disa bimë pambuku arritën të mbinin.

Kolonizimi i njëanshëm i Hënës nga një shtet përjashtohet në mënyrë kategorike nga Marrëveshja mbi Hënën e vitit 1979, por asnjë nga fuqitë mëdha e ka më ratifikuar, dhe manovrat e Pekinit po sjellin një përgjigje të shpejtë të Uashingtonit.

Kjo përgjigje e ka emrin Artemis, projekt prej 95 miliardë dollarësh që synon të kthejë pilotët në sipërfaqen e satelitit të vetëm natyror të planetit brenda vitit 2025. Përgatitjet kanë filluar, dhe një provë pa pilotë, fillimisht në orbitën e saj,  mund të konkretizohet në gusht ose shtator të këtij viti.

“Në luftën për hapësirën”, përtej ambicieve të presidentit kinez Xi Jinping, administratës amerikane dhe vetë Vladimir Putin, prej vitesh kanë hyrë edhe subjektet private, ku më të njohurit janë pa dyshim dy personat më të pasura në botë, Elon Musk dhe Jeff Bezos. Planet e multimiliarderëve madje shkon edhe më larg, me objektivin prestigjioz të zbritjes në planetin Mars.