Bota Lufta tregtare, drejt fundit? Trump shtyn rritjen e tarifave ndaj produkteve kineze

Lufta tregtare, drejt fundit? Trump shtyn rritjen e tarifave ndaj produkteve kineze

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se do të shtyjë rritjen e planifikuar të taksave për mallrat kineze, duke përmendur “përparimin e konsiderueshëm” në negociatat me Pekinin si justifikim.

“Jam i lumtur t’iu njoftoj se, Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet me Kinën për çështje strukturale, duke përfshirë mbrojtjen e pronës intelektuale, transferimin e teknologjisë, agrikulturës, monedhave dhe aspekteve të tjera”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Unë do të shtyj rritjen e tarifave amerikane, që ishte planifikuar të ndodhte më 1 mars. Duke parashikuar se të dyja palët do të arrijnë përparim të mëtejshëm, ne do të planifikojmë mbajtjen e një takimi me presidentin kinez, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje. Një fundjavë shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën”, ka shtuar ai.

Trump kishte planifikuar rritjen e tarifave për mallrat kineze me një vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nga 10 për qind që janë tani në 25 për qind, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje deri më 1 mars.

Lufta tregtare mes dy gjigantëve globalë ka ndikuar në tregjet e aksioneve dhe ka rritur shqetësimet për luftë tregtare globale. Trump ka justifikuar vënien e taksave ndaj Kinës, duke përmendur praktikat e padrejta të autoriteteve kineze ndaj SHBA-ve, si dhe ka kërkuar ndryshime rrënjësore nga ky shtet për sa i takon respektimit të pronës intelektuale dhe eliminimit të pengesave për kompanitë amerikane në tregun kinez.