Bota Lufta tregtare SHBA-Kinë, nisin sërish bisedimet në Pekin

Lufta tregtare SHBA-Kinë, nisin sërish bisedimet në Pekin

Ndërmjetësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë nisur një raund të ri bisedimesh, për të penguar përshkallëzimin e konfliktit në një “luftë” të hapur tregtare.

Negociatat zhvillohen në Pekin, por rezultati nuk dihet. Në tryezën e bisedimeve dyditore nuk janë të ulur përfaqësuesit e “vijës së ashpër” në Uashington, por u preferua një delegacion nën drejtimin e të ngarkuarit të moderuar për çështjet tregtare, Jeffrey Gerrish.

Nga pala kineze nuk dihet se kush i drejton negociatat. Edhe për përmbajtjen e tyre, pak është bërë e ditur.

Në Pekin thuhet vetëm se, fokusi do të jetë te produktet agrare, energjia dhe automjetet. Në fakt bëhet fjalë për më shumë.

Të dyja palët duan të sigurojnë një lloj armëpushimi në “luftën” tregtare, që fillimisht do të zgjasë deri më 2 mars. Për këtë afat ra dakord presidenti Trump, në takimin me presidentin kinez Xi Jinping, në Samitin e G20-s në Buenos Aires.

Deri në këtë afat nuk do të ketë më dogana të reja tregtare, e brenda kësaj kohe nuk do të aplikohen tarifat doganore mbi produktet me vlerë 200 miliardë dollarë.