Politika Luftë citimesh/ Rama i përmend Zaevin, Basha i kthehet me reagimet e...

Luftë citimesh/ Rama i përmend Zaevin, Basha i kthehet me reagimet e Macronit e Merkel

Refuzimi i negociatave po shoqërohet prej ditësh me përplasje deklaratash ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Lufta” politike është zhvendosur mes dy rivalëve politikë nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale dhe ditën e sotme, kryeministri Edi Rama do të vendoste përballë qëndrimit të Bashës me atë të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

Kryesocialisti nuk ka ngurruar të sulmojë opozitën duke deklaruar se ka bërë gjithçka për t’i vendosur shkopinj nën rrota procesin të integrimit, madje ka sjellë edhe më herët shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku partitë politike pavarësisht konflikteve nuk kanë folur keq për vendin e tyre në kancelaritë europiane.

Këtyre akuzave dhe sulmeve, kryedemokrati i është përgjigjur me të deklaratat e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Holandës dhe të Finlandës. Në to pjesë të shkëputura jepet dukshëm qëndrimi se jo të gjitha shtetet anëtare kanë qenë pro hapjes së negociatave.

Pas refuzimit për çeljen e negociatave brenda këtij viti, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kryedemokrati ka kërkuar zbatimin e standardit të kryeministrit Zaev, i cili kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pas refuzimit që iu bë Maqedonisë së Veriut. Por kërkesa e opozitës është rrëzuar nga kryeministri Edi Rama, i cili pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ka deklaruar se mazhoranca do të vazhdojë me strategjinë e saj dhe se refuzimi erdhi si rezultat i luftës së brendshme brenda BE-së, pasi Shqipëria i kishte plotësuar të gjitha detyrimet.