Nëse qyteti port i Mariupolit bie, Rusia përmbush një nga objektivat kryesore të luftës. Siguron korridorin e kalimit nga Donbas në Krime dhe përtej.
Pse është kaq i rëndësishëm?
Përgjigja e kësaj pyetjeje ka të bëjë me disa qindra vjet më parë, kur Perandoria Ruse zotëronte pjesën më të madhe të vijës bregdetare përreth. Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të kthejë në ditët e saj të lavdishme Perandorinë Ruse.
Por qyteti është gjithashtu një objektiv me rëndësi taktike, sepse zotërimi i tij do të ndihmonte në lidhjen e Krimesë së aneksuar nga Rusia me rajonin lindor të Donbasit, i cili kontrollohet pjesërisht nga separatistët pro-rusë.
Qyteti konsiderohet bastion i batalionit paraushtarak Azov, i orientuar nga e djathta ekstreme. Kontrolli i plotë i korridorit është t’u japë diplomatëve rusë avantazh për çdo negociatë të mëtejshme dhe të projektojë kërcënimin deri në Odesa.
Luftimet kanë qenë të ashpra, rrugë më rrugë. Ushtria ruse ka përdorur luftëtarët çeçenë për të luftuar shtëpi më shtëpi dhe në fabrikat gjigante të prodhimit të çelikut të kthyera në kështjellë nga mbrojtësit.
Çfarë do të ndodhte nëse Mariupol do të binte në duart e rusëve?
Ka “dy opsione të qarta” për Rusinë nëse arrin të marrë Mariupolin.
Së pari, Putin mund të vendosë të “negociojë nga një pozicion superior” dhe të bëjë thirrje për dorëzimin e kryeqytetit të Ukrainës, Kievit.
Ose ai mund të dyfishohet duke thirrur më shumë forca nga Rusia. Ky është një opsion më i rrezikshëm pasi atij do t’i duhej të mobilizonte ekonominë ruse dhe të angazhohej në rekrutim në shkallë të gjerë.
Sipas SkyNews, ne nuk e kemi parë atë nivel të përkushtimit të trupave ruse që nga Lufta e Dytë Botërore – prandaj do të kishte “implikime të rënda” për NATO-n dhe Perëndimin.
Kontrolli i plotë i detit Azov do t’i mundësojë ushtrisë ruse të vendosë më shumë njësi ushtarake për të ecur përpara drejt Mykholaiev, më në veri deri në zonat strategjike të Zaporizha dhe Khrivyy Rikh, dhe përfundimisht të bllokojnë autostradën midis Odesës dhe Kievit. Luftimet pas muajit mars mund të rriten me më shumë lëvizshmëri të tankeve.
Pse po i merr kaq shumë kohë forcave ruse për të marrë qytetin?
Forcat ruse dhe ukrainase janë aktualisht “të bllokuara në luftën urbane”.
Ukrainasit po luftojnë për çdo rrugë, çdo shtëpi dhe lagje – një tregues i mirë i rezistencës ukrainase në të gjithë vendin.
Situata në Mariupol gjithashtu është përgjigjja e propagandës false që Putini u thotë rusëve, se Rusia nuk bombardon qytete apo civilë.
Përkundrazi, qindra video dhe fotografi tregojnë shënjestrimin rus të shkollave, spitaleve dhe një teatri.
Një faktor tjetër që po përflitet është përdorimi i raketës hipersonike Kinzhal. Sipas vëzhguesve ushtarakë perëndimorë, pavarësisht fuqisë së saj shkatërruese, nuk do të përbëjë një ndryshim të lojës në këto rrethana specifike të luftës.
“Deri më tani ka pasur dy raste të lëshimit të raketave hipersonike dhe unë e perceptoj këtë më shumë si një mënyrë për të testuar këto armë të reja në efektet aktuale të vlerësimit luftarak sesa diçka që do të ndryshonte pamjen operacionale të luftës”, u shpreh Dr. Niklas Nilsson profesor i Asociuar në Universitetin Suedez të Mbrojtjes.
Rusia ka shtuar lëshimin e raketave të lundrimit me rreze të mesme veprimi nga fregatat dhe nëndetëset e vendosura në brigjet e Detit të Zi. Raketat janë të afta të arrijnë çdo objektiv ukrainas nga perëndimi në lindje.