Sport Luhet Juventus-Inter, statistikat dhe kuriozitetet e derbit të Italisë

Luhet Juventus-Inter, statistikat dhe kuriozitetet e derbit të Italisë

Juventus-Inter është derbi i Italisë, sfida ka gjithmonë potenciale bindëse dhe të afta për të dhënë shfaqje të madhe. Kjo u vërtetua edhe në përplasjen pararendëse mes këtyre dy skuadrave, kuri Interi i De Boer përmbysi lojën dhe mundi bardhezinjtë.

Të besuarit e Allegrit duan të “hakmerren” me çdo kusht, edhe pse do të përballen me një kundërshtar shumë më koheziv dhe rezultativ, i ringjallur nga Pioli.

PO si mund të luajnë dy skuadrat në këtë duel të shumëpritur në Itali, por edhe në Europë? Allegri ka vendosur, do ta rreshtojë skuadrën e tij me modulin 4-2-3-1: Buffon; Lichsteiner, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Khedira, Pjanic; Cuadrado, Dybala, Mandzukic; Higuain.

Edhe Stefano Pioli kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë, me Interin e tij, të rreshtuar në skemën 4-2-3-1: Handanovic; D’Ambrosio, Medel, Miranda, Ansaldi; Gagliardini, Brozovic; Candreva, Joao Mario, Perisic; Icardi.

Allegri thotë: “Sistemi ynë i lojës nuk ndryshon.”

Në thelb, pra, nuk duhet të ketë ndryshime në formacion, krahasuar me sfidën e së dielës së kaluar, në Sassuolo.

Gjermani Khedira do të mbështesë mesfushorët Cuadrado Pjanic, Dybala dhe Mandzukic, teksa argjentinasi Higuain do të funksionojë si një sulmues i vetëm.

Statistika – Ky është derbi i 168-të të Italisë, në Seria A, mes këtyre dy skuadrave.

Juventusi deri më tani regjistron 79 fitore, 46 humbje dhe 42 barazime.

Zikaltrit ishin të parët që e mundën Juventusin në stadiumin e ri, 3-1, në nëntor 2012, me gola të Milito (dopietë) dhe Palacio. Ky është suksesi i vetëm i arritur nga Interi në hapësirën e 10 sfidave të fundit, të luajtura në Torino, kundër bardhezinjve.

Juventusi është skuadra, kundër së cilës Interi ka humbur më shumë ndeshje (79) dhe ka pësuar më shumë gola (241), në kampionat.

“Zonja e Vjetër” ka fituar në shtëpi 27 ndeshje radhazi (rekord në historinë e Seria A), ndërsa Interi, nga ana tjetër, ka 7 fitore radhazi në kampionat (nuk i ka bërë 8 fitore radhazi që në dhjetor të vitit 2008, me trajner Mourinhon).

Me ardhjen e Piolit në drejtim, zikaltrit janë skuadra që ka fituar më shumë pikë (25 pikë në 10 ndeshje).

Gonzalo Higuain shënoi katër gola në tri ndeshjet e luajtura në shtëpi, në kampionat, kundër Interit, duke përfshirë edhe dy gola me fanellën e Napolit.

Nga ana tjetër, Mauro Icardi e ka Juven viktimën e tij të preferuar në Seria A: 7 gola në 8 ndeshje, tre prej tyre në stadiumin bardhezi.