Kryesore Luiz Ejlli në podcast me Ramën: Një përgjigje për ata që më...

Luiz Ejlli në podcast me Ramën: Një përgjigje për ata që më akuzojnë se u bëra i majtë

Kryeministri Edi Rama, episodin e sotëm të podcast-it “Flasim”, e zhvilloi me fituesin e bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe fituesin e BBV, Luiz Ejlli. Nga fëmijëria, jeta personale dhe karriera, Rama intervistoi “Blu Brathërs” siç i cilësoi ai për rreth 45 minuta.

Gjatë fjalë së tij Luiz Ejlli përsëriti edhe një herë mirënjohjen e tij ndaj Benet Becit që e ndihmoi në periudhën më të vështirë të jetës së tij, dhe theksoi se Shkodra për herë të parë ka zgjedhur me tru dhe jo me zemër.

“Unë them se është hera e parë që Shkodra ka zgjedhur me tru, me mend e jo me zemër, kanë votuar me mend. Ka parë Benetin dhe ka parë Shkodrën, ka parë ecurinë e Shkodrës 30 e disa vjet dhe ka thënë “Pse jo, çfarë kemi për të humbur? Jemi në këtë gjendje që jemi sot, pse jo?”

Një përgjigje e pati edhe për ata që e akuzojnë se u bëre i majtë.

“Unë isha në punë edhe në kohën e të djathtës, por mbeta pa punë dhe më futi zotëria në fjalë dhe i jam shumë mirënjohës. Për ata që thonë “Luiz, u bëre i majtë, i djathtë, i mesëm” me këto nuk merrem, nuk merrem me këtë pjesë. Unë nuk jam bukëshkelës, unë vlerësoj individin, vlerësoj njeriun dhe në këtë rast është Beneti”, tha Luizi.

Nga ana e tij Beci e ka cilësuar Luizin një fenomen, që krijoi një emër të mirë për Shkodrën

“Luizi u krijua si fenomen, në fakt e kam parë në dy anë. U krijua si fenomen që për Shkodrën ishte shumë interesante, për qytetin dhe si menaxher që jam, i shoh në aspektin se çfarë prurjesh mund të ketë. Gjithmonë e kam parë, se ky krijoi një emër të mirë për Shkodrën, krijoi një fizionomi të mirë, një dashuri dhe njëkohësisht nxori në pah disa elementë të Shkodrës që janë të humorit, të pozitivitetit, të energjisë, që në fakt janë ashtu. Në një farë mënyre e kam parë gjithmonë mirë, me idenë që si mundet ky njeri që të jetë një njeri që mund t’i shërbejë Shkodrës. Ky e ka bërë menjëherë atë shërbim për Shkodrën në momentin që ka dalë”.

I pyetur nga Rama pse zgjodhi pikërisht atë dhe jo zemrën që sipas tij e ka djathtas, Beci u përgjigj.

“Ka dhënë një mesazh të jashtëzakonshëm dhe nuk ka të bëjë me mua. Unë kam bërë ndere shumë, se punët kanë qenë ashtu, për të bërë ndere, për të dhënë. Mirëpo, mënyra e mirënjohjes sesi e ka kthyer Luizi, në fakt është një mesazh i jashtëzakonshëm për një nga gjërat më të rëndësishme në parim që është mirënjohja dhe ajo ka pasur shumë vlerë për mua, se jo çdokush e bën atë. Jo çdokush. Në jetë ne ballafaqohemi jashtëzakonisht, bën shumë dhe shpesh herë nuk ta kthen kush. Për mua ka qenë një shenjë që ka një mekanizëm që funksionon në jetë që në një moment të kthehet”.