Ekonomi Luksi nuk njeh krizë, Ferrari shet më shumë makina se para pandemisë

Luksi nuk njeh krizë, Ferrari shet më shumë makina se para pandemisë

Luksi nuk njeh krizë. Dhe këtu nuk përjashtohet as kriza e pandemisë, që përfshiu botën dy vitet e fundit. Mjafton të shohësh shifrat e shitjeve që ka raportuar prodhuesi italian i makinave, Ferrari. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, Ferrari ka dorëzuar 2 685 makina, pothuajse dyfishi i makinave të dorëzuara një vit më parë.

Ajo që bie në sy është rritja krahasuar me periudhën para pandemisë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 raportohet një rritje prej 0.5%. Të ardhurat neto për të njëjtën periudhë të një viti më parë arritën në 1,035 milionë dollarë, pothuajse dyfishi në krahasim me një vit më parë. Të ardhurat janë më te larta edhe se para pandemisë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ka një rritje prej 5.2%.

“Ky tremujor i shkëlqyer i dytë konfirmon forcën e Ferrarit dhe modelin e tij të pakrahasueshëm të biznesit – thotë Presidenti John Elkann – Çdo Ferrari që prezantojmë vendos standarde të reja të inovacionit, bukurisë dhe veçantisë, themelet e luksit të vërtetë. Me afrimin e 75-vjetorit tonë vitin e ardhshëm, mundësitë tona nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”.