Inxhinierja Luljeta Bozo u shfaq sot krah kryeministrit Edi Rama duke pranuar ftesën e këtij të fundit për t’u përfshirë në listat e Partisë Socialiste për kandidatë për deputetë.
Kryeministri Rama tha se është privilegj për të dhe Partinë Socialiste që Luljeta Bozo ka pranuar të bëhet pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e socialistëve.
“Tani dua ta ndaj edhe me ata që janë këtu dhe na ndjekin që ti u tregove zemërgjerë dhe pasi u mendove nuk the jo për të qenë pjesë e skuadrës sonë të 25 Prillit, ku me nderin më të madh timin ne do kemi një përfaqësues të një shtrese të gjerë shoqërore, gjyshërit dhe gjyshet, dhe një përfaqësues kaq të gjerë dhe kaq vital që ka akoma shumë për të dhënë, dhe nga maja e eksperiencës së vetë dhe eksperiencës jo vetëm si inxhiniere por edhe si nënë, gjyshe dhe stërgjyshe do jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin me kujdes që mos na e këpusësh, por që ne të mund të jemi të fokusuar. Është simboli i gjithë asaj përpjekje solidare të shqiptarëve që u bënë bashkë në ato momente të tmerrshme. Nuk kam menduar që do arrinim ta bindnim Luljetën, por nuk ishte plotësisht e vështirë. Realisht të jam shumë mirënjohës”, tha Kryeministri Edi Rama.
Duke folur për rindërtimin dhe planin e socialistëve në këtë aspekt, Luljeta Bozo tha se ky proces po ecën me ritme të shpejta dhe se qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 duhet ti konsiderojnë dhuratë shtëpitë e reja që po marrin pa shpenzuar para.
“Në përgjithësi ne inxhinierët flasim shkurt. Ne të gjithë u tronditëm, gjithë populli, se tërmeti është një dukuri shumë e rrezikshme dhe e frikshme. Por nga ky tërmet ne nxorëm disa mësime që kanë lidhje me shkeljet që janë bërë në fushën e ndërtimit. Qeveria e mori veten shumë shpejt, nuk mbeti asnjë njeri përjashta. Mua më vjen mirë që ato që kemi konstatuar defekte në ndërtim janë realizuar në këtë program. Më vjen shumë mirë dhe filloi menjëherë programi në ato zona ku kishin shkatërrime më të mëdha dhe ku ishte më e ndjeshme. Kemi pasur një defekt se shtëpitë në fshat përveç ishin në fshat, janë dhe shumë të shpërndara.
Të hysh në një shtëpi të re pa shpenzuar asnjë lek për mua është një dhuratë. Ne kemi shembuj në Italinë që ka mbi 10 vjet që ka rënë tërmeti dhe akoma janë në rulota, akoma nuk janë strehuar, përveç se po kërkojnë qira se po rrinë në rulota dhe kanë zënë një copë tokë nga halli, kurse këtu jo vetëm që nuk paguan asnjë lekë, por u bë shtëpia e re sipas standardeve. Në procesin e rindërtimit është filluar ndërtimi sipas rregullave, me infrastrukturën e nëntokës, pastaj me infrastrukturë rrugore dhe pastaj vazhdon me ndërtimin e shtëpive. Ky proces për mua po ecën shumë normalisht, ndoshta ka nevojë për të treguar për ata që janë hezitues se mendojnë që bëhet menjëherë. Njerëzit duhen sqaruar që shtëpitë nuk ndërtohen kështu, nuk ndërtohen pa pasur fonde dhe ne e kemi pasur shumë vështirë. Them se shumë shpejt plagët e tërmetit do të riparohen dhe njerëzit duhet të jenë mirënjohës sepse është një dhuratë e madhe. Jo të gjithë e bëjnë këtë. Programi i rindërtimit që nisi me tërmetin unë them që duhet të vazhdojë me një aspekt tjetër me të cilat mund ta zhvillojmë vendin tonë. Ka punë shumë për të bërë në zonat rurale”, tha inxhinierja Luljeta Bozo.