Kryesore Lulzim Basha rizgjidhet kryetar i PD

Lulzim Basha rizgjidhet kryetar i PD

Për të tretën herë radhazi Lulzim Basha mori besimin e demokratëve për t’i drejtuar edhe për katër vitet në vijim si kryetar i kësaj force politike.

Në garën për kreun e ri të partisë, Basha mori mbi 32 mijë e 882 vota, thënë ndryshe ai votëbesua nga 81% e anëtarësisë.

Rezultatet paraprake rendisin të dytin në zgjedhjet e së dielës deputetin e sapozgjedhur në qarkun e Tiranës, Agron Shehaj me 6038 vota. Pas tij, me 983 vota u rendit e vetmja kandidate grua në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, Edit Harxhi. Ndërsa rivali tjetër i Lulzim Bashës në zgjedhje, anëtari i kryesisë Fatbardh Kadilli arriti të marrë 781 vota.

Të dielën në kutitë e votimit u drejtuan i 41 mijë e 97 anëtarë të Partisë Demokratike, ose thënë ndryshe rreth 54.7% e tyre morën pjesë në zgjedhje për kreun e ri të kësaj force politike.

Pas mbylljes së numërimit, i vetmi kandidat në garë që pranoi rezultatin, pavarësisht se e cilësoi të pabarabartë që në nisje këtë proces ishte Fatbardh Kadilli.

“Afruam një garë, por jo standarde. Në shumë aspekte standardet ishin më keq se ato mes palëve politike. Unë nuk jam Luli. Unë e pranoj këtë rezultat, e pranoj vendimin e demokratëve. Në këto kushte nuk mund ta uroj fituesin, natyrisht respektoj vendimin”, tha Kadilli.

Kadilli tha se nuk do të largohej nga Partia Demokratike e aq më pak mohoi idenë e krijimit të një partie të re.