Bota Lutje për fundin e pandemisë, Papa: Paratë për armatime, çojini për kërkime...

Lutje për fundin e pandemisë, Papa: Paratë për armatime, çojini për kërkime shkencore

Papa Françesku nisi të shtunën lutjen njëmujore, të rruzares, duke u lutur për fundin sa më parë të pandemisë COVID-19.

Kreu i Vatikanit u shpreh se ka ardhur koha që njerëzit të shohin në ndërgjegjen e tyre “një mënyrë që shumat e mëdha të shpenzuara për të shtuar arsenalet e armatimeve të përdoren për të financuar kërkimet për të parandaluar pandemi të ngjashme në të ardhmen”.

“Mari e Shenjtë, Nëna e Zotit, nëna jonë, ndërmjetësoni për ne me Atin e Shenjtë që ai të mund të na tregojë mëshirë dhe që kjo sprovë e vështirë të mbarojë dhe horizontet e shpresës dhe paqes të kthehen. Bëj që njerëzit kudo në botë të ndërgjegjësohen që shumat marramëndëse që harxhohen për të rritur armatimet të shkojnë për të promovuar studimet e duhura shkencore për të parandaluar katastrofa të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh Papa.

Besimtarët katolikë në mbarë globin do të recitojnë lutjet dedikuar Virgjëreshës Mari, gjatë muajit maj teksa leximi i ruzarit do të transmetohet live në internet dhe televizion çdo ditë në orën 18-të, teksa mesha e mbylljes do të mbahet në fund të muajit në Vatikan.