Extra Macja e egër sulmon pilotin në mes të fluturimit, avioni detyrohet të...

Macja e egër sulmon pilotin në mes të fluturimit, avioni detyrohet të kthehet në aeroport

Një avion pasagjerësh është detyruar të kthehej në një aeroport në kryeqytetin e Sudanit, pasi një mace e zemëruar, e cila arriti të hynte në kabinën e pilotit, nisi të sulmonte pilotët menjëherë pas ngritjes.

Duke iu referuar medieve lokale, RT shkruan se avioni ishte nisur nga Khartoum drejt kryeqytetit të Katarit, Doha. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, derisa pasagjerja më e vështirë shkaktoi një emergjencë në ajër.

Macja duket se nuk ishte një adhuruese e madhe e fluturimit, pasi ajo veproi në mënyrë agresive dhe sulmoi ekuipazhin. Me sa duket, pasi të gjitha përpjekjet për të ndaluar macen dështuan, piloti mori një vendim për ta kthyer avionin në kryeqytetin sudanez.

Sipas medies lokale Al-Sudani, avioni kishte e kaluar natën përpara fluturimit në një hangar në aeroportin e Khartoum. Macja e egër dyshohet se u fut në bord gjatë pastrimit ose rishikimit inxhinierik dhe u fsheh brenda kabinës për të befasuar pilotët më vonë.

Sado i pazakontë që tingëllon ky incident, kjo nuk është hera e parë që një mace shkakton problem në avion.

Në vitin 2004, një aeroplan me 62 persona në bord u detyrua të kthehej në Bruksel pasi një mace shtëpiake e quajtur Gin u tërbua në kabinën e pilotit, pasi ishte arratisur nga çanta e udhëtimit të pronarit të saj. Një incident i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2013 në Arabinë Saudite, në një fluturim nga Riadi për në Hong Kong që u anulua në momentin e fundit për shkak të një maceje.