Bota Macron drejt një “karriere” të re, po shndërrohet në virolog

Macron drejt një “karriere” të re, po shndërrohet në virolog

Emmanuel Macron po shndërrohet në një virolog. Ka kaluar një vit nga fillimi i pandemisë koronavirus dhe presidenti francez i kalon netët duke studiuar shqyrtimet shkencore dhe testet klinike.

Ai lexon vazhdimisht mediat prestigjioze mjekësore si “The Lancet”, “British Medical Journal” dhe studime të universitetit amerikan, Stanford, që më pas të marrë vendime për të përballuar krizën shëndetësore.

Macron, i cili nuk ka formimin shkencor si Angela Merkel, por është djalë i një mjeku, merr të rejat më të fundit shkencore në kohë reale, me vëmendje të veçantë për gjithçka që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Izraeli dhe Azia.

“Do të përfundojë duke u bërë epidemiolog”, thonë me shaka nga ekipi i presidentit francez.

Më shumë se një batutë, shënon një kthesë në menaxhimin e pandemisë. Krahasuar me muajt e parë, kur qeveria ndiqte rekomandimet e komitetit tekniko-shkencor, tani politika ka sërish në dorë vendimmarrjen.

Fillimisht, ndodhi me shkollat, që u mbajtën hapur pavarësisht alarmeve të shumta për rrezikun e përhapjes së virusit. Macron surprizoi sërish në fund të janarit duke refuzuar izolimin e tretë total, masë të cilën e rekomandonin ekspertët.

Virologët francezë janë habitur shpesh nga takimet me shefin e Elizesë, pasi gjatë bisedave, Macron ka treguar se është informuar para tyre për studime të reja lidhur me Covid-19.