Ekonomi Macron-Merkel: 500 miliard euro për planin e rimëkëmbjes ekonomike të BE-së

Macron-Merkel: 500 miliard euro për planin e rimëkëmbjes ekonomike të BE-së

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, propozuan sot një plan rimëkëmbjeje për BE-në prej 500 miliard eurosh përballë ndikimit ekonomik të koronavirusit të ri, i cili do t’i hapte rrugën një bashkimi të borxheve të kontinentit.

“Për të mbështetur një rimëkëmbje të qëndrueshëm që rivendos dhe forcon rritjen ekonomike të BE-së, Gjermania dhe Franca mbështesin krijimin e një fondi ambicioz, të përkohshëm dhe stimulues, si pjesë e buxhetit të ardhshëm të BE-së, prej 500 miliardë eurosh”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Kjo është një ditë e rëndësishme”, tha Macron, ndërkohë që çështja e huazimit të përbashkët ka qenë një subjekt mosmarrëveshjesh të mëdha vitet e fundit midis vendeve të Europës veriore dhe asaj jugore, në veçanti midis Francës, e cila është e favorshme për të, dhe Gjermanisë, që është kundra.

Sipas deklaratës së bërë, financimi do të synojë vështirësitë që lidhen me pandeminë dhe pasojat e saj. Paratë do të paguhen gradualisht gjatë disa viteve.