Bota Macron-Pendarovski: Metodologjia e re e zgjerimit gati deri në mars të 2020-ës

Macron-Pendarovski: Metodologjia e re e zgjerimit gati deri në mars të 2020-ës

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë takimit me homologun e tij francez Emmanuel Macron, është shprehur se metodologjia e re e zgjerimit të BE-së do të jetë gati deri në pranverë të vitit 2020.

Sipas tij pasi ajo të jetë gati mund të ketë ndonjë vendim sa i përket datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Franca tashmë ka paraqitur një propozim joformal për vendet anëtare të BE-së që parasheh reformimin e metodologjisë së negociatave të pranimit, një reformë që Macron po kërkon të miratohet përpara se të japë dritën e gjelbër për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në parim, ai mendon se metodologjia duhet të miratohet më së voni deri në muajin mars”.

Ai shfaqi shpresën se në samitin e BE-së në Zagreb, më 6 maj 2020, mund të merret ndonjë vendim lidhur me negociatat e pranimit me Maqedoninë, por pa dhënë garanci nëse vendimi do të ishte pozitiv.

Liderët e vendeve të BE-së nuk arritën të marrin një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në një samit që u zhvillua më 18 tetor.

Franca ka qenë kundërshtarja më e fuqishme për mosdhënien e datës për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti maqedonas njoftoi se i ka thënë presidentit Macron se Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE.

“Ai më ka thënë saktësisht se kurrë nuk ka qenë qëllimi i tij që të na rekomandojë ndonjë alternativë tjetër, në vend të anëtarësimit në BE. Ai thjesht dëshiron të përmirësojë procesin, që mos të prodhojë suksese burokratike dhe dështime thelbësore”.

Gjithashtu presidenti Pendarovski njoftoi se Emmanuel Macron do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, në gjysmën e parë të vitit 2020.