Bota Macron-Scholz, letër Vuçiçit për Kosovën: Serbia të bëhet gati për vendime të...

Macron-Scholz, letër Vuçiçit për Kosovën: Serbia të bëhet gati për vendime të vështira

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i kanë dërguar një letër të përbashkët presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilën i bëjnë thirrje që të tregojë “vendosmërinë dhe gatishmërinë maksimale” për të marrë vendime të vështira të cilat çojnë në progres në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz theksojnë se normalizimi i plotë i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor: “Ne po ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara janë të nevojshëm urgjentisht, si në planin praktik dhe politik”.

Dy liderët sqarojnë dhe vëmendjen e madhe karshi Ballkanit Perëndimor: “Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin europian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, ne duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta në mënyrë që perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata dypalëshe dhe rajonale”.

Edhe pse nuk përmendet konkretisht, ajo që mund të lexohet mes rreshtave të letrës është mesazhi europian dërguar Beogradit, Vuçiçit konkretisht, për të marrë në shqyrtim një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës.

Macron dhe Scholz njoftojnë se kanë ngarkuar dy këshilltarë të tyre për politike të jashtme dhe siguri që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në përpjekjet e tij për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në letër thuhet se këshilltarët, së bashku me Lajçak, do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën për të shqyrtuar mundësitë e shtyrjes përpara të procesit të normalizimit të raporteve.