Extra Madonna do të drejtojë vetë filmin mbi jetën e saj: Kam shumë...

Madonna do të drejtojë vetë filmin mbi jetën e saj: Kam shumë tregime të parrëfyera

Ylli i popit Madonna ka vendosur që të drejtojë vetë filmin e saj biografik, projekt për të cilin po bashkëpunon me shkrimtaren Diablo Cady.

Lajmi është konfirmuar nga studio “Universal Pictures”.

Në një deklaratë për media të lëshuar të martën, Madonna tha: “Dua ta sjell në ekran rrugëtimin e jashtëzakonshëm në të cilin më ka dërguar jeta si artiste, muzikante, balerinë dhe si një person. Fokusi i filmit gjithmonë do të jetë muzika. Muzika më ka mbajtur aktive dhe arti më ka mbajtur të gjallë. Kam aq shumë tregime të parrëfyera më parë dhe tejet inspiruese, prandaj kush është më i përshtatshëm për t’i treguar ato sesa unë. Është shumë e rëndësishme t’i ndajë me publikun dhe fansat kujtimet e mira dhe të këqija të jetës sime, përmes zërit dhe vizionit tim.”

Amy Pascal do të shërbejë në rolin e producentes së këtij projekti krahas Madonnas, ndërsa Sara Zambreno dhe Guy Oseary do të jenë producentë ekzekutivë të tij.

“Madonna është një ikonë e vërtetë e muzikës, një filantrope e vërtetë, artiste e jashtëzakonshme dhe një grua rebele. Me aftësinë e saj të vetme për të krijuar art të qasshëm por që njëkohësisht i thyen kufijtë, ajo i ka dhënë formë kulturës sonë në një mënyrë që pak persona e kanë bërë para saj”, është shprehur Donna Langley, kryetare e “Universal Filmed Entertainment Group”.

Filmi, i cili do të jetë shumë i mirëpritur nga fansat e Madonnës, ende nuk ka një titull. Filmi do të tregojë një rrugëtim emocionues të këngëtares në këto pesë dekada.