Aktualitet Mafia e bregdetit, rihapen 8 dosje që tronditën Durrësin

Mafia e bregdetit, rihapen 8 dosje që tronditën Durrësin

Ato janë cilësuar viktimat e mafies në bregdet. Autorët s’kanë lëne gjurmë. Tetë dosje, do të rihetohen nga policia e Durrësit. Prokuroria e Durrësit ndër vite nuk ka mundur të hedhë dritë mbi zbulueshmërinë e vrasjeve të klasifikuara të tipit mafioz, e që kanë tronditur qytetin bregdetar.

Ky ngërç sipas organit të akuzës ka ardhur si pasojë e mungesës së provave, bashkëpunimit të familjarëve, apo personave që mund të kenë dijeni mbi motivet.

Në këto kushte, ky institucion ka kërkuar sërish mbështetjen e policisë, duke i rikthyer dosjet, me qëllim mbledhjen e informacioneve të reja, të dobishme për prokurorët e çështjeve.

Vrasja e 35-vjecarit Elvis Dedej çeli edhe sagën vrasjeve të tipit mafioz. Mbi të u qëllua me breshëri automatiku. Ishte qershori i 2012-s në kulmin e sezonit turistik. Durrësi u përfshi në panik, krimi ndodhi në një nga rrugët më të frekuentuara nga turistët, tek Shkëmbi i Kavajës.

Një vit më vonë dhe pikërisht muajin shtator të 2013-s ndërtuesi 40 vjeçar Plaurent Cani u ekzekutua. E shkuara e tij kriminale bëri që hetuesit të dyshonin për hakmarrje, ekzekutim nga vrasës me pagesë.

10 ditë nga vrasja e biznesmenit, oficerët e hetimit kriminal u përballën me një tjetër ekzekutim të frikshëm. Nëna e Elvis Dedejt, Fatmira Dedej u gjet e vdekur me plumb në kokë e trup, në garazhin e pallatit ku banonte, në qendër të Durrësit. Në atë kohë policia foli për të njëjtët vrasës që ekzekutuan të birin, por pa mundur t’i identifikojë.

Janari i 2014-s nisi me një ekzekutim, që për nga mënyra e kryerjes ishte i panjohur më herët nga policia lokale. Atë të ekzekutimit me anë të shpërthimit të telekomanduar. Viktima ishte biznesmeni 45-vjeçar Xhemal Çela. Makina e tij  u hodh në erë në rrugën e plazhit. Ekspertët nuk gjetën asnjë provë që mund t’i ndihmonte.

Pa kaluar 6 muaj, një tjetër biznesmen u ekzekutua pak kilometra nga vendi ku u hodh në erë makina e Celës. Kujtim Dyrmishi, nuk mundi t’i shpëtonte atentatit me automatik sapo kishte zbritur nga automjeti.

Vrasja e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushaj, në shtator të 2015  një tjetër krim i rëndë. Por një muaj më vone, në Janar të 2016, merret peng Gazment Çollaku. Jo shumë larg nga vendi ku u ekzekutuan dy të rinjtë, në zonën më të frekuentuar të qytetit, siç është shëtitorja “Taulantja”.

Më pas ekzekutimi i tij në Krujë, nga persona të kamufluar me uniforma policie, ishte një tjetër ngjarje që rriti pasigurinë në qytet. Në maj të 2016, Shpëtim Shala 38 vjeç, u ekzekutua me 15 plumba nga një armë “Scorpions” me silenciator në plazh, sapo u nda nga shokët.

Disa nga viktimat kishin njohje me njëri-tjetrin, ata ishin të implikuar në trafikun e narkotikëve. Policia dyshoi për vrasës profesionistë. Por këto vrasje dhe dosje të pazbardhura siç është vrasja e 18 vjeçarit Mario Curri, apo e volejbollistit Juxhin Guza, nuk kanë autor./Abcnews