Kryesore “Mafia politike e Tiranës sulmon diplomaten”, Vlahutin: Madje thonë se unë nuk...

“Mafia politike e Tiranës sulmon diplomaten”, Vlahutin: Madje thonë se unë nuk krihem

Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë, po sulmohet për shkak të angazhimit të saj kundër korrupsionit në Shqipëri. «Nuk është se më kërcënojnë me vdekje, por trillojnë afera, shkruajnë se punoj për Sorosin, i njollosin njerëzit e mi, madje thonë se unë nuk krihem», thotë ajo për gazetën «Jutarnji list».

Këshilltarja e dikurshme e ish-presidentit kroat, Ivo Josipoviq, diplomatja shumëvjeçare me përvojë ndërkombëtare, Romana Vlahutin, ka tërhequr vëmendjen e disa medieve në Shqipëri dhe të qarqeve politike, të cilat e kanë akuzuar për njëanshmëri politike. E përditshmja austriake «Der Standard» ka njoftuar se madje Romana Vlahutinin e kërcënojnë me vdekje dhe se ajo ka marrë mbrojtje policore 24-orëshe.
Vlahutin, e cila më parë ka punuar edhe si diplomate në Ambasadën kroate në Serbi, ndërsa më pas ka mbajtur pozitë të lartë në Misionin e OSBE-së në Kosovë, tani është ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë, ku e udhëheq delegacionin e BE-së me shtatëdhjetë njerëz. Përkrah Hidajet Bishqeviqit, i cili është ambasador i BE-së në Taxhikistan, Vlahutin është diplomatja më e lartë e Republikës së Kroacisë në shërbimin diplomatik të Bashkimit Europian.

Lufta kundër korrupsionit
Kur ajo e mori këtë detyrë, në Bruksel u tha se një nga avantazhet e saj është se ajo vjen nga Kroacia, vendi që e ka kaluar procesin në të cilin Shqipëria sapo ka hyrë, prandaj kjo përvojë duhet ta ndihmojë atë. Njëra nga sfidat kryesore që Shqipëria aktualisht e ka në rrugën drejt BE-së është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në lidhje me këtë, që nga fillimi i mandatit është angazhuar Romana Vlahutin, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të ambasadorit të atjeshëm të SHBA-ve, Donald Lu.

Pas përpjekjeve të gjata, e kanë çuar përpara të ashtuquajturin ligj për dekriminalizimin, i cili ka shkaktuar tërmet në skenën politike shqiptare.
Në një bisedë për «Jutarnji list», Vlahutin tha se ajo nuk ndihet e kërcënuar dhe se ndihet rehat në Shqipëri, qytetarët e së cilës, thotë ajo, i mbështesin përpjekjet për reforma dhe për dekriminalizimin e skenës politike.
«Në Shqipëri unë ndihem shumë mirë. Titujt e gazetave se kinse më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake. Kolegu im ambasador amerikan i ka truprojat që nga fillimi i mandatit. Ne nga BE-ja dhe shtetet anëtare jemi shumë më të relaksuar, por në këtë moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm», thotë Vlahutin.

Romana Vlahutin kishte probleme dhe shqetësime edhe derisa ishte diplomate kroate në Serbi, kur në Ambasadë ishte e angazhuar për Kosovën. Kur ajo kishte udhëtuar në Kosovë, i kishin hyrë në apartamentin e saj në Beograd, ia kishin marrë çelësat dhe ia kishin vjedhur makinën. Automobili i saj ishte gjetur disa vjet më vonë në Maqedoni. Shqipëria e ka statusin e vendit kandidat për në BE, por ende nuk ka rekomandim për t’i hapur negociatat e anëtarësimit. Pikërisht dekriminalizimi është kushti kryesor për këtë.

E pse ligji për dekriminalizim e ka dramatizuar skenën politike në këtë mënyrë në Shqipëri? Romana Vlahutin mendon se me këtë disa qarqe ndihen të kërcënuara. «Shqipëria në dy vjetët e fundit e ka kaluar reformën historike të gjyqësorit, e cila ka rezultuar me ndryshimin e një të tretës së Kushtetutës dhe të 40 ligjeve, të cilat pjesërisht ose plotësisht është dashur të përshtaten me rendin e ri kushtetues. I ashtuquajturi ligj për dekriminalizimin i parapriu votimit të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e gjyqësorit, e që ka të bëjë me ndalimin e punësimit në administratën publike dhe ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ose mbajtjen e pozitave publike të të gjithë atyre që e kanë shkelur ligjin, domethënë të gjithë atyre që kanë gjykime të plotfuqishme në çështjet penale», shpjegon ambasadorja e BE-së në Tiranë, duke shtuar se Kroacia e ka ndihmuar Shqipërinë me përvojën e saj.

Reformimi i gjyqësorit ka qenë vërtet një punë e madhe, duke e ndryshuar tërësisht sistemin që ishte jashtëzakonisht i korruptuar, dhe duke sjellë institucione të reja. Njëra prej tyre është Prokuroria Speciale për Krime dhe Korrupsion, dhe ligji është modeluar sipas USKOK-ut kroat, zyrës për luftimin e korrupsionit. Zoti Dinko Cvitan, ish-drejtor i USKOK, ka ardhur në Tiranë, ndërsa në ekipin që ka punuar në atë ligj është edhe Koraljka Bumçi, përndryshe gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Zagreb.

Të veçantat e reformës
«E veçanta e reformës është vetting-u, domethënë verifikimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për të përcaktuar nëse dikush prej tyre ka në pronësi pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme, nëse kanë lidhje me grupe kriminale dhe a janë të përgatitur profesionalisht për këtë punë. Kjo, ngase Shqipëria, pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës i ka ndryshuar plotësisht njerëzit në sistemin e drejtësisë, e në këtë mënyrë gjyqtarë janë bërë edhe personat pa e përfunduar Fakultetin Juridik, me vetëm gjashtë muaj kurs të gjyqësorit… atëherë mund ta imagjinoni për çfarë jam duke folur», shpjegon ajo.

Vlahutin thotë se «vetting-u – verifikimi – natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër. «Flasim për gjyqësorin, në të cilin, për shembull, kryeprokuror i shtetit është ende personi, të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia morën vizën për të hyrë atje, si dhe rrethi më i afërt i bashkëpunëtorëve të tij», shpjegon ajo.
Ambasadorja e BE-së thotë se qytetarët e Shqipërisë në çdo kohë ofrojnë mbështetje të madhe për reformën e Gjyqësorit. Shifra e fundit ishte 93 për qind mbështetje. «Situata me gjyqësorin ishte e padurueshme dhe Shqipëria nuk kishte tjetër zgjidhje – te ne ekziston një thënie – ilaçi i duhur në plagën e duhur, dhe kjo është pikërisht ajo që solli reformat e gjyqësorit», thotë Vlahutin.

Një pjesë e medieve në Shqipëri këto ditë kanë spekuluar se ambasadorja Vlahutin është përfshirë në mashtrimet për blerjen e rezidencave për delegacionin e BE-së në Tiranë. Ajo thotë se kjo është vetëm njëra nga aferat e trilluara, sikur që edhe zëdhënësja e BE-së në Bruksel spekulimet e tilla i quan «trillime».

Aferat e trilluara
«Kjo është vetëm njëra prej aferave të trilluara, apo, siç thuhet sot, fake news – lajme të rreme, të cilave u jemi ekspozuar në Tiranë, sidomos kolegu im amerikan dhe unë. Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre. Nganjëherë kam përshtypjen se kjo është njëra nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës kur njerëzve ua shpëlanë trurin sesi të gjithë të huajt janë armiq dhe se të gjithë kanë qëllime të fshehta. Megjithatë, për ndryshim nga grupi relativisht i vogël i njerëzve, por shumë agresivë, të cilët janë të lidhur me grupet e interesave politike dhe kriminale, populli i Shqipërisë është jashtëzakonisht mikpritës, i hapur posaçërisht për mysafirët dhe të huajt», pohon Vlahutin dhe përmend fyerjet e shumta, madje edhe atë që «nuk kreh flokët».

«Ambasadori amerikan dhe unë deri më tani kemi qenë të akuzuar për çdo gjë, që nga shërbimi Soros dhe krimi i organizuar, e deri te korrupsioni dhe paragjykimi. Thuhet se unë jam vendosur nga dikush në këtë post, se nuk kreh flokët, se burri im është duke punuar në një projekt hekurudhor me Malin e Zi… gjëra tepër të çuditshme, të cilat shumë shpejt kam ditur t’i injoroj», tha ajo.

«Për ndërtesën e BE-së në Tiranë është negociuar para se unë të bëhesha ambasadore»
«Historia e rezidencës së BE-së ka përkuar pikërisht me ditën e fillimit të krijimit të institucioneve të vettingut – verifikimit dhe bazohet kryesisht në idenë e dikujt se bëhet fjalë për një punë të dyshimtë. Kushdo që di diçka në lidhje me atë sesi funksionon BE-ja në çështjet publike, e ka të qartë atë se me kaq shumë kontrolle dhe nivele, të cilat duhet ta konfirmojnë vendimin para se të merret një vendim përfundimtar, thjesht nuk është e mundur për cilindo person të bëjë diçka individualisht. Ajo që është më e çuditshme në këtë histori është se <gazetarët> që e kanë plasuar këtë nuk janë preokupuar për t’i mësuar faktet themelore, të tillë si atë që, për shembull, i gjithë procesi i identifikimit të pronës dhe negociatave ka përfunduar muaj të tërë para se unë të isha vendosur ambasadore e BE-së, se negociatat përfundimtare i udhëhoqi kolegu që pikërisht për këtë kishte ardhur nga Brukseli, se Parlamenti Europian ishte pjesë e procesit të verifikimit», ka argumentuar për Romana Vlahutin për «Jutarnji List».
/Marrë nga DialogPlus/