Aktualitet Mafia shqiptare një institucion, që duhet “vlerësuar”

Mafia shqiptare një institucion, që duhet “vlerësuar”

Pak ditë më parë një intervistë e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, Skënder Halluci në median vizive ka kaluar sikur të mos kishte thënë asgjë. Anipse deklarata e kryegjyqtarit të Vlorës ishte e frikshme: Në gjykatë vijnë vetëm punëtorët, jo organizatorët e kultivimit të kanabisit. Të paktën në tre vjet që ai e kish drejtuar këtë gjykatë, në bankën e të akuzuarve nuk kish parë të ulej qoftë edhe një i vetëm organizator i kultivimit të kanabisit. Gati një dekadë më parë, media zbuloi shtegtimet e shumë banorëve lokalë nga vende të ndryshme të Shqipërisë në drejtim të Lazaratit. Për shumë syresh destinacioni dihej ose kamuflohej me Greqinë, por mjaftonte puna në parcelat e hashashit dhe ajo sasi parash që sillnin në shtëpi për të jetuar, që t’i fashiste të gjitha hamendësitë. Nga ana e tij, sërish shteti dhe strukturat e veta ishin të paditura. Publiku po ashtu. Ndërkohë që referimet nga agjenci sigurie, policitë e vendeve fqinjë dhe institucione sigurie e precizonin qartë: MAFIA shqiptare po kthehet në një institucion. Robert Saviano do ta qartësonte hapur imazhin e saj në një intervistë për gazetaren Xhunga: “Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim, është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është disi më pak e njohur se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, Policia Financiare, karabinierët, Antidroga, Anti-Mafia kanë shumë dokumente për praninë e MAFIA-s shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë”. Dhe, logjika e njohësit të MAFIA-s vazhdonte e strukturuar: Është politika ajo që ka nevojë për MAFIA-n, pasi strukturat e saj përbëjnë sipërmarrje. Që do të thotë brende, njëlloj si BMW-ja apo Microsoft-i. Në këtë logjikë, ai bënte edhe bilancin e këtij biznesi për vendin e tij, e cila sipas prokurorisë kombëtare Anti-MAFIA, kapte plot 100 miliardë euro në vit. Në këtë hulli, kuptohet se futej dhe ajo shqiptare…E si mund të heqësh dorë nga një shifër e tillë?-bënte në fund pyetjen retorike.

Pak ditë më parë, organet e policisë shqiptare janë konfrontuar me institucionet e ushtrisë sa i përket nxjerrjes jashtë funksionimi të radarëve. Debati u fashit disi në ditët e fundit, por nxori dhe njëherë faktin se ajo që flitet nuk është e gënjeshtërt. Të fortët janë të mbrojtur, sepse pas tyre gjenden gjithmonë politikanët. Nuk është e vështirë të kuptosh simbiozën krim-politikë, nëse gjykon qoftë edhe prej gjuhës së trupit të politikanëve apo t’u dëgjosh ligjërimin. Politikanët sulmojnë me akuza dhe kanë ligjërime si krimi, sepse pas tyre gjithnjë gjenden “të fortët”. Mjafton të shikosh eskortat në rrethe të miqve të politikës dhe kupton sesi funksionon shteti ynë. E krimi, që është ende i pavlerësuar strukturalisht, ka kapur gjithçka, duke i shtrirë ngado tentakulat. Rasti i Elbasanit ishte thjesht një indikator, ku mund të kuptosh se deri ku sfidohet policia. Kurse më globalisht, njeriu e shikon sfidën nga privatizimet dhe e ndjek me pasurimet e shpejta, e shikon nga beneficet, e shikon nga trafikimet. E shikon nga emërimet, por edhe background-et e shumë personazheve të policisë në dy dekadat e fundit.

Lufta e Kosovës solli në dritë aspekte të reja të aktivizimit të MAFIA-s, që rridhte me trafikun e armëve, por edhe në përfshirjen e krimit të organizuar. Shoqëria civile kosovare tashmë po i denoncon me forcë dhe vazhdimisht në media, por pa mundur të bëjë gjë më shumë. Në botime të huaja është folur në mënyrë të detajuar, por sot krimi shqiptar pranohet se është institucion.

Një prej prokurorëve Anti-MAFIA në Itali, Cataldo Motta, i cili i ka të identifikuar mafiozët shqiptarë si nga më të rrezikshmit do shprehej pak kohë më parë, cituar nga mediat tona se: “Krimi i organizuar shqiptar është bërë pikë referimi për gjithë aktivitetin kriminal sot. Gjithçka kalon nga shqiptarët. Rruga për drogën, armët dhe njerëzit, pra emigrantët ilegalë të drejtuar drejt Evropës është në duart e shqiptarëve”. Ajo që i bashkon të gjitha referimet nga vende të ndryshme dhe arketipi, që është ngritur mbi mafiozin shqiptar është se ai ngjason shumë me atë italian burimor, e ka prirje madje edhe për mëvetësinë e vet. Rruga pothuaj ndjek të njëjtën trajektore: Të gjithë e kanë filluar me grabitjet e vogla, ndërsa pak nga pak janë shndërruar në pjesë të familjeve të krimit të “Cosa Nostra”, duke ofruar krahun e lirë për t’u shkëputur me grupimet e tyre. Si dy pika uji, historia e shumë individëve ka si fill idilik historinë e personazhit kryesor të “Scareface” Toni Montana. Jo më kot, ky film sot e kësaj dite është tejet i ndjekur dhe i dashur në vend.

Duke filluar që nga SHBA dhe vende të tjera në Evropë problemi është se sot MAFIA shqiptare ka organizimin e saj dhe strukturat e ndryshme që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Këtë e shpjegon lehtësisht një fakt, shpërhapja, shkëmbimi dhe eficenca e krimit me origjinë shqiptarë në vende të ndryshme. Ka të ngjarë të zëvendësojë familjet “Cosa Nostra-s” si boshti i krimit amerikan, shpreheshin pak vite më parë zyrtarët e FBI-së për CNN.

Ne, vetë, jemi pjesë e një realiteti ku veprimtarinë e tyre e kemi përpara syve dhe Shqipëria është e mbushur me OJQ dhe institucione të huaja, që i ka si objekt ata, vetëm se ende nuk ka një studim mirëfilli për MAFIA-n shqiptare. Jo se nuk është e mundur, por gjykatat, policia dhe dëshmitë e individëve të ndryshëm paraqesin shumë handikape. Kurse në media, kanë involvuar zëra, që indirekt më shumë e përçudnojnë fenomenin dhe shterojnë debate në probleme anësore, duke e lënë të boshatisur fushë-studimin e saj. Projektet, shtuar me ato pak vëzhgime, më shumë japin sensacionin dhe gjetjet e policisë, kurse në thelb mungojnë studimet dhe fenomenologjia e problemit. “Pavarësisht se krimi i organizuar shqiptar është reklamuar shumë në dekadën e fundit ka shumë pak kërkime shkencore që shpjegojnë në mënyrë sistematike dhe rigoroze fenomenin e kriminalitetit etnik shqiptar në mënyrë metodike. Gjithsesi, edhe ato studime mbështeten në raportimet sensacionale të mediave. Kjo e ka errësuar studimin e mëtejshëm shkencor dhe të thellë. Prandaj, në përgjithësi studimet mbi këtë fenomen janë me raste jo koherente dhe shpeshherë të pabesueshme”, citohet një material nga policia belge, që e bëri CNN dhe një organ lokal belg. Dhe, po të ndjekësh trafikun, por edhe gjetjet e policisë, referohen tonalitete të tëra kanabis, që e kanë përshkruar Greqinë, Italinë e me radhë, përpos listës së kriminelëve që nuk i duket fundi.

Mafia shqiptare ose më saktë, Krimi i Organizuar Shqiptar tashmë është institucion dhe është verbëri, nëse ne e mohojmë si fakt. Çështja e parë është tashmë sesa do të mundemi ta studiojmë për të shkuar në origjinën e saj, për të gjetur prirjet që ajo prezanton për të ardhmen.

Kjo duket si e vetmja mënyrë për të nisur një rrugë përballje me të, por edhe për ta shikuar një fenomen që vendos për shumë problematika në vendin tonë. Ka kaluar shumë kohë për s’është vonë. MAFIA, me ato që referohet, e ka mposhtur Shqipërinë. Duhet quajtur fat, që ekonomistët tanë nuk dinë të gjejnë modulet të matin realisht xhiron e saj vjetore, sepse shifrat do na pataksnin. E jeta vazhdon, ata bëjnë për vete politikanë, korruptojnë lehtësisht gjykatësit shqiptarë dhe shteti në emër të drejtësisë… shtyp të varfrit.