Bota Mafiozi i rrezikshëm që jetonte nën maskën e një picieri, arrestohet pas...

Mafiozi i rrezikshëm që jetonte nën maskën e një picieri, arrestohet pas 16 vitesh në arrati

Një vrasës, anëtar i mafies italiane “Ndrangheta”, i cili ka qenë në kërkim që prej vitit 2006 është kapur në Francë ku prej tre vitesh jetonte nën maskën e një kuzhinieri picash.

Kapja e Edgardo Greco në Saint- Etienne është arrestimi i dytë i profilit të lartë mafioz brenda pak javësh.

Më herët u arrestua Matteo Messina Denaro kishte qëndruar në arrati për 30 vite. Që të dy kanë qenë në kërkim për masakrën e vitit  1990.

Ndërkohë që Messina Denaro ishte “bosi i bosave” në Siçili, për famëkeqen “Cosa Nostra”, Greco ishte pjesëtar i “Ndranghetës”, e cila e ka origjinën e saj në Kalabri, në jug të Italisë.

63–vjeçari Greco ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë një lufte mafioze mes dy bandave në fillim të 1990. Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo u rrahën për vdekje në qytetin e Coznesa në 1991, trupat e tyre nuk u gjetën kurrë, dyshohet se ata janë tretur në acid.

Greco, ishte pjesë e një bande rivale është akuzuar edhe për vrasjen e një burri tjetër, e cila ka ndodhur në të njëjtin vit e në të njëjtin qytet.

Ai u arratis në vitin 2006, kur ndaj tij u lëshua një urdhër arresti. Tetë vite më vonë, mafiozi u vendos në qytetin francez të Saint- Etienne, në jug perëndim të Lionit, duke punuar si picier në një restorant italian.

Sipas BBC, Mafiozi jetonte nën një identitet të rremë, duke e quajtur veten Paolo Dimitrio dhe jetonte i qetë ndërkohë që në Itali ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ai fitoi kaq siguri nga emri i tij i rremë saqë në Korrik të 2021 ai u shfaq në një artikull të një gazete lokale, ku mburrej me recetat e tij si shef kuzhine. Greco përveç emrit kishte ndryshuar edhe imazhin e tij, ai shfaqej me mjekër gri dhe me syze.

Megjithatë ai ndiqej ende nga Prokurori Nicola Gratteri, i cili për dekada ka luftuar grupin mafioz “Ndrangheta”.

Në një deklaratë, karabinierët italianë thanë se që nga viti 2019, hetuesit kishin gjurmuar rrjetin mbështetës të Grecos, i cili i drejtoi ata përtej Alpeve në Saint-Étienne.

Interpoli tha se operacioni i tij anti-Ndrangheta bashkëpunoi me autoritetet franceze për të gjetur vendndodhjes së Grecos. Policia italiane më pas konfirmoi identitetin e tij dhe arriti ta arrestonte.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi vlerësoi policinë për nxjerrjen para drejtësisë të një prej kriminelëve më të këqij të Italisë, ndërsa kreu i rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, tha se arrestimi nënvizoi angazhimin e Italisë në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.