Kryesore Mahnitën jurinë e “The Voice of Italy”: Binjaket shqiptare tregojnë pse zgjodhën...

Mahnitën jurinë e “The Voice of Italy”: Binjaket shqiptare tregojnë pse zgjodhën të këndojnë shqip

Motrat Ina dhe Serena të cilat u komentuan aq shumë për performancën e tyre në “The Voice of Italy”, ishin sot për herë të parë në një intervistë për Klubin e Mëngjesit. Të 4 këngëtarët trajnerë të këtij talent show kanë kërkuar që grupi Sindalls të bëhet pjesë e skuadrave të tyre. Por motrat shqiptare për shkak të afërsisë së stilit të tyre muzikor kanë preferuar skuadrën me trajner këngëtarin rap Gue Pequeno.

Të pyetura sepse zgjodhën pikërisht këngën “Shum pis” të Era Istrefit për të interpretuar thanë se: “Donim një këngë shqip për ta bërë më të njohur muzikën shqiptare në Itali, por edhe për faktin që Era Istrefi është tashmë një yll ndërkombëtar”.

Të pyetura nëse do donin të ecnin në rrugën e Elhaida Danit, e cila vite më parë u shpall edhe si fituese e “The Voice of Italy”, këngëtaret thanë se e synonin patjetër këtë gjë.

“Elhaida u prezantua me një tjetër stil dhe ishte me profesioniste, por padyshim që dhe ne e synojmë fitoren në “The Voice”, edhe pse lëvrojmë në një tjetër stil”.

Motrat u shprehën se edhe në fazat në vijim kanë dëshirë të këndojnë në gjuhën shqipe.

Programi televiziv “The Voicy of Italy” 2019 transmetohet një herë në javë në Rai 2 e drejtohet nga prezantuesja e njohur Simona Ventura.