Politika Majko në Uashington: Forcimi i lidhjeve mes Shqipërisë dhe institucioneve amerikane

Majko në Uashington: Forcimi i lidhjeve mes Shqipërisë dhe institucioneve amerikane

Gjatë qëndrimit në Uashington, ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko u takua me përfaqësuesit e Open Gov Hub, një rrjet prej 40 organizatash joqeveritare që vepron në mbi 100 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, për të promovuar transparencën, përgjegjësinë dhe angazhimin civil rreth botës.

Përfaqësuesit e rrjetit e informuan Ministrin mbi atë çfarë po bëhet në lidhje me Shqipërinë duke përmendur takimin që pritet të zhvillohet në muajin mars me një delegacion prej 22 zyrtarësh të lartë shqiptarë, ndër të cilët 16 Kryebashkiakë. Qëllimi i takimit në Uashington është forcimi i lidhjeve mes Shqipërisë dhe institucioneve amerikane, bashkëpunimi me shqiptarët jashtë vendit e gjithashtu trajnimet mbi modele të suksesshme reformash.

Nga ana e tij, Majko foli në lidhje me reformat dhe hapat që po ndërmerren në bashkëpunim me qeverinë për të forcuar lidhjen e shtetit me diasporën e vet.

U përmend funksioni i Këshillit Koordinues, Komisionit Shtetëror dhe Nënkomisionit Parlamentar për Diasporën. Një prej çështjeve të prekura ishte gjithashtu e drejta e votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit për të cilën siç tha Ministri, po punohej ngushtë me OSBE-në dhe Komisionin e Venecias. Në takim u diskutua edhe lidhur me praktikat më të mira kundër korrupsionit, ndërsa Majko foli për platformat e ngritura nga qeveria, të tilla si ajo për bashkëqeverisjen e konsultimin publik. Ministri ritheksoi rëndësinë që ka për qeverinë shqiptare reforma në drejtësi.

Më pas, Ministri Majko i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministri për Diasporën në Kosovë, Dardan Gashi morën pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Uashington.

“Ajo që në konsiderojmë diasporë nuk i ka kufijtë e ndara dhe misioni im dhe i Ministrit Gashi është që t’i bëjmë të padukshëm këta kufij mes shtetasve jashtë dhe atyre brenda vendit”, u shpreh Majko në takim.

Ministri i Shtetit për Diasporën shprehu kënaqësinë për pritjen që iu rezervua në Uashington kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, diçka që sipas tij, tregon shumë mbi të ardhmen e një miqësie e cila e ka ndjekur Shqipërinë dhe shqiptarët në çdo moment.

Majko përmendi gjithashtu rolin e diasporës në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj foli për rëndësinë e mbështetjes që SHBA i ka ofruar gjithmonë vendit të tij në kohë të vështira dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa Kosova përballet me sfidën e integrimit ne Bashkimin Evropian.