Sport Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

Majlinda Kelmendi ka vendosur të tërhiqet nga sporti i xhudos, një ditë pas eliminimit që në ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Xhudoka që i dha Kosovës medaljen e parë të artë në historinë e saj tha se e kishte menduar edhe më parë largimin, por trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte bindur.

“Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. i kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit dhe do të mundohemi të nxjerrim talente të tjera nga Kosova”, tha Kelmendi

30-vjeçarja ka garuar në tri Olimpiada, ndërsa në “Rio 2016” i solli Kosovës medaljen e parë olimpike, dhe atë të artë.

Kelmendi ka fituar edhe dy tituj kampione bote, si dhe e ka një medalje të bronztë botërore. Ndërkohë i ka katër kupa të arta europiane e një të bronztë.