Kryesore Maliqi: PD, nevojë për lidership të ri, pse jo Argita Berisha?

Maliqi: PD, nevojë për lidership të ri, pse jo Argita Berisha?

Për Lefter Maliqin, Partia Demokratike duhet të ndryshojë lidership nëse kërkon të vijë në pushtet.

Ai u shpreh në emisionin “I Ftuari” në A2News se Basha nuk është i aftë t’i fitojë zgjedhjet.

Maliqi, më tej, ka edhe emrat që për të janë të aftë të marrin drejtimin e Partisë Demokratike, duke u shpreh që kjo parti mund të drejtohet edhe nga Argita Berisha, vajza e Sali Berishës.

“Partia Demokratike dhe Socialiste votuan së bashku këtë sistem të inkriminuar. Të gjitha partitë kanë blerë vota. Ka pasur manipulim, joshje dhe blerje votash. PS po keq qeverisë vendin, por e vërteta është se zoti Basha nuk e çon dot në fitore PD-në. Pushteti merret me mund dhe sakrifica.

Me sa kuptoj unë, Basha ndjen rrezikun e humbjes së radhës. Të humbësh një herë, dy herë, tre herë e të mos japësh dorëheqjen me vizion perëndimor, për mua është habi. Ai mund të jetë shumë i aftë, por i ka të gjitha postet e dhuruara. PD do bashkim.

Unë shpresoj që në vijim të ketë marrëveshje në interes të shqiptarëve. Ngul këmbë që marrëveshje duhet të ketë dhe do të ketë. Edhe nesër të bëjë zgjedhje Rama i fiton. Basha humbet thellë, po ashtu edhe LSI. Ka shumë rëndësi një vizion i liderit të fortë. Basha nuk ka pjekuri, nuk ngjit në elektorat. Basha është vlerë për PD në një nivel tjetër. Këtë nuk e them unë, por edhe deputetë të tjerë. Edhe në çadër, shumë i çonin mesazhe doktorit dhe i kërkonin të kthehej. PD duhet të ndryshojë lidership të vijë në pushtet. Alternativat janë zoti Nishani, zonja Topalli, zoti Bode, pse jo edhe ndonjë nga familja e doktorit, për shembull Argita”.

Lefter Maliqi, ndër të tjera rrëfeu edhe marrëdhëniet e tij me kreun demokrat Lulzim Basha.

Maliqi shprehet se Basha i ka premtuar shumë, por nuk i ka mbajtur premtimet ndaj tij. Ai tregon edhe episode nga takimet me kreun demokrat, teksa i ka premtuar, sipas tij, se do të ishte i pari në listat e Beratit dhe jo Bode.

“Unë jam me origjinë “skënderbegase” dhe ne skënderbegasit i kemi një gjë: edhe kur biem, i futemi diçkaje prapë nga e para. Unë karrierën në PD e fillova nga anëtar i thjeshtë i PD, dola kryetar seksioni, u bëra kryetar grup-seksioni në Otllak dhe konkurroj për kryetar i degës së PD të Beratit, sipas parimit demokratik. Zoti Basha më hoqi emrin 5 minuta para. Më tha që është i papajtueshëm kryetari i grup-seksionit me kryetarin e degës, i thashë që nuk është e vërtetë, ma sqaruan zoti Bode, zoti Noka. Basha, pasi më tha se do të më vinte kandidat për Bashkinë e Beratit dhe nuk më vuri dhe pasi humbi në Berat, më tha “do të të vë të parin në listë në Berat”. Unë i thashë “si mund të më vësh të parin para zotit Bode, kur ti e ke sjellë në deleguar politik në Berat”? “Bode nuk është, mos fol me njeri, ti je” më tha. Madje po e them edhe këtë, më thoshte “ti je për të drejtuar rendin në një të ardhme”, shprehet Maliqi.

Më tej, Maliqi shprehet se listat për deputet të PD ishin korruptive. “Eduard Halimi nuk kishte lidhje me Beratin, ia mori i dyti si ia mori. Janë punë të mëdha këto. Cilat ishin format që ia mori? Po korruptive, sigurisht. Edhe ato dy femrat, korruptive janë. Vetëm ndonjë shqiptar është i trashë dhe nuk e kupton. Vetëm nëse ndonjë media nuk e analizon. Vetëm nëse drejtësia nuk e analizon. Këto janë korruptive. Korruptive ishte edhe lista e kandidatëve për deputetë. Ky i dyti, sipas të dhënave të mia, sponsorizoi edhe udhëtimin e Bashës në Amerikë me zotin Mediu, se janë lidhje të vjetra, dhe ka sponsorizuar edhe fushatën edhe çadrën. Dhe Basha nuk më shikonte mua si një njeri me kontribut ekonomik, sepse unë kam kontribut votash elektorale. Ky që ka kontribut ekonomik, nuk ka vota. Ky nuk ka vota në zonën e vet”, tha Maliqi.