Sport Man. City mohon kontaktet me Messin: Janë spekulime

Man. City mohon kontaktet me Messin: Janë spekulime

Manchester City tregon se nuk i ka bërë asnjë ofertë Lionel Messit, ndonëse kontrata e sulmuesit të Barcelonës skadon në fund të këtij sezoni. Ylli argjentinas është i lirë të flasë me klube jo spanjolle dhe për këtë arsye emri i tij është lidhur me transferimin në disa nga klubet kryesore europiane si Manchester City dhe kampionët e Ligue 1, Paris Saint-Germain, të cilët shihen si kandidatët kryesore.

Së fundmi është raportuar se kryesuesit e Premier Leagues kanë bërë një rishikim të ofertës për Messi-in, por një zëdhënës i klubit ka folur për “Goal.com” se këto të fundit janë spekulime jo të vërteta dhe se nuk ka pasur asnjë bisedë mes tyre.

Mediat kanë folur vazhdimisht për një interesim të mundshëm të Manchester City-t për Lionel Messin, duke qenë se anglezët drejtohen nga ish trajneri i argjentinasit, Pep Guardiola dhe të dy do të donin të ribashkoheshin sërish.

Skuadra e Premier Leagues është një nga të paktat klube europiane që mund të përballojë rrogën e lartë të Lionel Messit, ndërsa mediat britanike kanë folur edhe për një pakt me argjentinasin, që pas aventurës te “citizens” të mund të luajë me klubet e tjera të shoqërisë, përfshi edhe New York City-n.

Messi do te presë deri në fund të këtij sezoni për të vendosur për të ardhmen e tij dhe nuk përjashtohet mundësia që të rinovojë kontratën e tij me Barcelonën, klub ku ka kaluar të gjithë karrierën e tij futbollistike deri tani.

“Goal.com” raporton se Messi është i lodhur nga këto spekulime të vazhdueshme të mediave dhe se në fund të sezonit do të bëjë një njoftim përsa i përket klubit ku do të luajë nga sezoni i ardhshëm e në vijim.