Sport Man. United refuzon Realin për Pogbanë, Juvja do të bëjë tentativën e...

Man. United refuzon Realin për Pogbanë, Juvja do të bëjë tentativën e fundit

E ardhmja e Paul Pogbasë mbetet e panjohur, megjithatë në këtë pikë, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e merkatos në hyrje për klubet e Premier League-s duket se mesfushori francez, sipas të gjitha gjasave, do të qëndrojë të paktën edhe një sezon në “Old Trafford”.

“Times” shkruan se “Djajtë e Kuq” kanë hedhur poshtë ofertën e fundit të Realit të Madridit, 30 milionë euro plus James Rodriguez. Kujtojmë se gjigantët anglez kërkojnë 150 milionë euro për kampionin e botës, shifër të cilën “Los Blancos” nuk kanë ndërmend ta shpenzojnë.

Refuzimi i ofertës së fundit të Realit ka hapur oreksin e Juventusit, që ka marrëdhënie shumë të mira me Manchester United. Pavarësisht dështimit të marrëveshjes për transferimin e Dybalas në “Old Trafford”, klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kartonin e Mandzukicit, që pritet të prezantohet orët e ardhshme si “Djall i Kuq”.

Drejtuesit bardhezi do të bëjnë një tentativë të fundit për Paul Pogbanë, duke e përfshirë në marrëveshjen për sulmuesit kroat. Juventusi ofron përveç Mandzukicit edhe Matuidinë, si dhe një shumë të caktuar parash, që tek United do ta përdornin për të blerë Milinkovic-Savic nga Lazio.