Aktualitet Manastirliu ndryshon strategji: Edhe mjekët e familjes do t’i bashkohen luftës kundër...

Manastirliu ndryshon strategji: Edhe mjekët e familjes do t’i bashkohen luftës kundër COVID-19

Tashmë në luftën kundër COVID-19 do të përfshihen dhe mjekët e familjes. Ndryshimin e strategjisë e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në Qendrën Shëndetësore nr. 5 në Tiranë

“Mjekët e familjes do të ndjekin të gjithë pacientët e konfirmuar me COVID-19 që janë në kushte shtëpie me simptoma të lehta apo të moderuara”, tha ministrja duke nënvizuar se, tani luftës kundër koronavirus do t’i bashkohen edhe 1600 mjekët e familjes në të gjithë vendin.

Duke theksuar se mjeku i familjes do ta ketë në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit që është i prekur nga COVID-19, Manastirliu tha se në të gjithë vendin mjekët e familjes kanë kryer më shumë se 40 mijë konsulta online.

“Janë më shumë se 40 mijë shërbime nëpërmjet telemjekësisë që janë ofruar për të moshuarit, për të sëmurët kronikë dhe për ata që kanë dashur të konsultohen me mjekun e familjes për një problematikë shëndetësore apo për një tjetër. Dhe telekonsultat janë duke u kryer në të gjitha qendrat shëndetësore dhe janë duke ndihmuar me mijëra qytetarë, sidomos përsa i përket paketës së barnave të rimbursueshme ku më shumë se 28 mijë paketa të barnave të rimbursueshme kanë vajtur në shtëpitë e pensionistëve mbi 65 vjeç”, u shpreh ministrja.