Kryesore Manastirliu: Nuk do të izolohemi, por…

Manastirliu: Nuk do të izolohemi, por…

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shfrytëzoi fjalën e saj në Kuvend për të bërë edhe një herë thirrje që të respektohet rregullat e miratuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Në terapi intensive janë 6 persona të intubuar, të moshës fare të re, 45, 46 vjeç. Kush e konsideron ende konspiracion këtë virus të rrezikshëm, e ka gabim. Ka ende mes nesh që mendojnë se koronavirusi nuk ekziston, ata na rrezikojnë të gjithëve”, tha ministrja.

Ajo tha se sistemi shëndetësor do të hasë vështirësi për të përballuar fluksin e të infektuarve që mund të vijë si pasojë e mosrespektimit të rregullave, pasi në të është investuar vetëm në 7 vitet e fundit.

“Sistemi është ende shumë delikat për atë që mund të vijë nga relaksimi, neglizhenca dhe moszbatimi i protokolleve të sigurisë dhe masave të thjeshta. Të zbatojmë masat e thjeshta, të vendosim maskën, të ruajmë distancimin fizik dhe të zbatojmë higjienën personale”, tha Manastirliu.

Ministrja bëri një thirrje edhe për operatorët turistikë, të cilët janë goditur ndjeshëm nga pandemia. “Për ata që duan të bëjnë biznes u them që nuk ka ekonomi pa shëndet. Nuk do të mbyllemi, nuk do të izolohemi, por nëse duam të gëzojmë liritë tona, duhet të zbatojmë rregullat e thjeshta”, shtoi ministrja.