Aktualitet Manastirliu: Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor, pritet rritje e shtrimeve në...

Manastirliu: Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor, pritet rritje e shtrimeve në spitale

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi këtë të diel se në vijim pritet të ketë shtrime në spital, për shkak edhe të rritjes së numrit të të infektuarve. Por ajo u shpreh se qeveria është përgatitur për këtë situatë dhe ka gati skenarët.

“Presim që të ketë rritje të shtrimeve në spital, për shkak edhe të rritjes së numrit të të infektuarve. Jemi përgatitur për t’u përballur edhe me shifrat në rritje të infektimeve dhe shtrimeve. Jemi duke përgatitur jo vetëm për strukturën aktuale, por edhe Covid 3 dhe covid 4. Covid 3 është gati prej kohësh në fakt”, tha Manastirliu.

Ajo u shpreh se asnjë qytetar nuk është lënë pa ndihmë shëndetësore.

“Ne kemi përgatitur, nuk kemi bërë pushime gjatë verës dhe nuk kemi fjetur gjumë”, tha ministrja e cila shtoi se qeveria e dinte që në Shqipëri do të kishte një valë e dytë, por qeveria është përgatitur për këtë situatë.

“E dinim që do të kishte një valë të dytë, edhe duke e ditur jemi përgatitur për t’ju përgjigjur çdo situate. Ne do duhet ta luftojmë në terren për të mos arritur të kemi raste që infektohen dhe më pas të vijnë për shtrime”.

Ministrja hodhi poshtë akuzat e opozitës për kolaps të sistemit shëndetësor.

“Kur të ezaurohen kapacitetet e dy spitale, kur të shohim që nuk do të ketë më hapësira për të shtruar ne do të hapim spitalin Covid 3 që është në QSUT. Mjekët dhe infermierët i kemi të trajnuar. Ku e shohin kolapsimin e sistemit shëndetësor? Këtu jemi të gjithë… Nuk ka asnjë kolaps të sistemit shëndetësor”, u shpreh ministrja përballë mjekëve dhe infermierëve të Spitalit Infektiv.