Sport Manchester United nis të reflektojë për Cristiano Ronaldon

Manchester United nis të reflektojë për Cristiano Ronaldon

Sulmues qendror apo sulmues anësor i majtë: Kështu Solskjaer shkoi në vështirësi dhe Manchester United humbi ndeshjen e parë në Champions League

12 vite e disa muaj më vonë, Cristiano Ronaldo e sheh veten në Ligën e Kampionëve me fanellën e Manchester United. Dhe fillimi ishte i hidhur. Jo aq shumë për performancën e tij, por për rezultatin final ndaj Young Boys (2-1) në startin sezonal të Ligës së Kampionëve. Ronaldo e bëri pjesën e tij. Goli që shënoi i kaloi “Djajtë e Kuq” në epërsinë fillestare.

Goditja e portugezit nga disa metra largësi nuk u ndal dot prej portierit Von Ballmoos (padyshim një rastësi, por në secilin nga tre golat e shënuar deri më tani me Manchester United nga Cristiano, është ndihmuar edhe nga dora e portierit kundërshtar). Dhjetë minuta më vonë, në 35′, mbrojtësi Wan-Bissaka u ndëshkua me karton të kuq. Solskjaer reagoi duke hequr anësorin Sancho për një mbrojtës, ish-lojtarin e Milanit, Dalot.

Më pas, në pjesën e parë, kaloi në mbrojtjen me tre, duke zëvendësuar mesfushorin Van de Beek me Varane. Nga ai moment u bë një modul virtual 5-3-1, me Pogba dhe Bruno Fernandes, të cilët në teori duhej të mbanin lidhjet me CR7. Young Boys “rrethoi” portën e mbrojtur nga De Gea, duke regjistruar 20 goditje në portë. Ronaldo mbeti i izoluar përpara. Skuadra e kërkoi atë me topa të gjatë, por mori pak shërbime të duhura.

Dhe, logjikisht, duke mos qenë në gjendje të japë thellësi, ai vetëm mbronte topin, duke u përpjekur ta mbante ekipin para dhe t’i jepte sadopak frymëmarrje. Përveç një penalltie të pretenduar, të cilën gjyqtari (me të drejtë) e anashkaloi, ky ishte kontributi i tij ofensiv. Vazhdoi deri në minutën e 72-të, kur Solskjaer, pas barazimit të Young Boys, zëvendësoi portugezin me një mesfushor, domethënë Lingard, i cili më pas do të rezultonte i pafat me gabimin që do të lindte golin fitues të vendasve.

Me pak fjalë, një ndeshje që ngre problemet e vjetra rreth Ronaldos. Golat e nderojnë atë, natyrisht, është gjithashtu i gatshëm të sakrifikojë veten. Megjithatë, është pak e dobishme nëse nuk ka njerëzit dhe qasjen e duhur rreth vetes. Dhe, nuk është për t’u habitur, shtypi i rezervoi kritikat kryesore për trajnerin Solskjaer. Kalimi në mbrojtjen me tre lojtarë dukej shumë si heqje dorë, ndërsa përdorimi i Van de Beek në një rol që nuk ishte i tij (së bashku me Fred) krijoi shumë ngatërresa. Kjo ndeshje e humbur, padyshim hap reflektime për Ronaldon; nëse Solskjaer do ta mbajë apo jo në fushë edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë.