Sport Mandzukic firmos me Milanin dhe merr “numrin e mallkuar”

Mandzukic firmos me Milanin dhe merr “numrin e mallkuar”

Mario Mandzukic është zyrtarisht një lojtar i ri i Milanit. Kroati rikthehet në Itali pas përvojës së tij në Katar, me Al Duhail.

Kontratë deri në qershor, me mundësi rinovimi edhe për një sezon për sulmuesin e datëlindjes 1986, i cili do të veshë fanellën “famëkeqe” me numrin 9, siç konfirmohet nga klubi në një njoftim zyrtar për shtyp: “AC Milan njofton se ka fituar të drejtën për shfaqjet sportive të futbollistit Mario Mandžukić. Sulmuesi kroat ka nënshkruar një kontratë me klubin tonë deri në fund të sezonit, me opsionin për ta zgjatur atë për sezonin pasardhës. Mario Mandžukić do të veshë fanellën me numër 9”.

Kroati përforcon sulmin e kuqezinjve, një garanci më shumë për sukses. 9 kampionate të fituara midis Italisë, Gjermanisë dhe Kroacisë, plus kupa të ndryshme, përfshirë një Ligë të Kampionëve, është “palmaresi” i lojtarit më të ri të “Djallit”.

Mandzukic merr “numrin e mallkuar”

Në shpatullat e tij, për më tepër, ai duhet të mbajë numrin 9, atë të mallkuarin te kuqezinjtë. Pas Pippo Inzaghi, shumë e kanë veshur, por askush nuk ka arritur të lërë kujtime të pashlyera. Nga Pato te Lapadula, nga Destro te Piatek, nga Matri te André Silva, nga Luiz Adriano te Torres dhe Higuain. Varet nga Mario, që ta prishë këtë tabu. E kush më mirë se ai mundet ta bëjë këtë. Mjafton të shohim filozofinë e kroatit për futbollin: “Nëse shoh një partner në nevojë, kthehem ta ndihmoj. Nuk ka asnjë mënyrë që të rri pa lëvizur për 90 minuta. Kur fiton, duhet të kesh inteligjencën për t’u kthyer mbrapa e ruajtur rezultatin. E urrej t’i shoh lojtarët të ndalen në mes të fushës. Edhe nëse je sulmues, duhet të kthehesh e ta ndihmosh skuadrën dhe shokët e skuadrës. Ne, sulmuesit, nëse shënojmë, kemi bërë vetëm detyrën tonë, por duke sakrifikuar në detyra të tjera, atëherë përfaqësojmë një vlerë shtesë në skuadër. Besoj se të gjithë duhet ta sakrifikojnë veten për fanellën. I kam bërë vend vetes në çdo tifozeri sepse kam luajtur në fushë me të njëjtin pasion si secili prej tyre. Tifozët na gjykojnë, ata janë aty për fanellën. Unë e respektoj fanellën që vesh, sepse është ajo që më ushqen. Është si një familje; jam i gatshëm ta mbroj familjen time nga çdo gjë”.