Nga Florion Metohu
Në datën 8 prill ora 12:00, në sheshin Skënderbej do të mbahet një manifestim për tu solidarizuar me popullin ukrainas, ndaj të cilit po shkaktohen mizori që të rrënqethin mishin dhe të cilat Europa mendonte se ja kishte lënë faqeve të historisë.
Shkatërrimi dhe tmerret e realizuara nga ushtria ruse, e dërguar nga presidenti Putin për të “denazifikuar” Ukrainën, bëhen gjithmonë dhe më të dukshme me tërheqjen turpëruese nga rrethinat e Kievit.
Zbulimi i 2 varreve masive në qytetin e Bucha, me mbi 400 persona civilë të lidhur dhe të ekzekutuar, ka ringjallur fantazmat e horroreve të luftës së dytë botërore dhe ka sjellë reagimin e shokuar të gjithë komunitetit ndërkombëtar, duke e dënuar në mënyrën më të ashpër këtë barbari që ka gjasa të mos jetë e vetmja.
Shumë ekspert paralajmërojnë masakra të tilla dhe në qytetet e tjera, duke marrë parasysh lajmet e vazhdueshme që dalin në dritë për përdhunime dhe ekzekutime të civilëve ukrainas.
Autoritet ukrainase po fillojnë ta krahasojnë qytetin e Bucha si një Srebrenicë e re, duke na kujtuar masakrimin e 8 mijë myslimanëve në 1995 nga forcat serbe gjatë luftës së Bosnjes por, që ne shqiptarëve na kujton edhe masakrat e serbëve ndaj kosovarëve, siç është ajo e Prekazit (Jasharajve), në mars të 1998, ku u ekzekutuan 56 qytetar, ndër të cilët edhe legjenda e kombit Adem Jashari apo masakra e Reçakut në janar 1999 ku u vranë nga forcat serbe dhjetra civilë Kosovar.
Të gjithë duhet ti bashkohemi manifestimit të datës 8 prill, sado simbolike të duket ajo në llogaritë vendimarrëse të aktorëve ndërkombëtar. Kush mendon se konflikti në Ukrainë është diçka e largët dhe nuk na prek në përditshmërinë tonë, duhet vetëm një vëzhgim i shpejtë i çmimeve të shportës dhe ato të karburantit, për të kuptuar që të gjithë jemi viktima të një despoti dhe aspiratave të tij iluzore për madhështi.
Kërcënimi putinist është real përtej Ukrainës, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Mjafton të përmendim paralajmërimin që ambasadori rus në Bosnje – Hercegovinë bëri në mesin e muajit mars, kur tha se nëse ky vend anëtarësohet në NATO, Rusia do të marrë masa, dukë kërcënuar një shtet sovran.
Aktiviteti malinj dhe destabilizues i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është i dokumentuar gjerësisht, prandaj të gjithë ne duhet të dalim në mbështetje të Ukrainës, e cila është shndërruar në llogoren që ndan botën e civilizuar, ku në qendër vendoset individi dhe e drejta e tij për të zgjedhur, nga megalomania totalitariste dhe kontrolluese e një individi në kërkim të lavdisë imagjinare.
Glory to Ukraine!