Kryesore Maqedonia e Veriut në NATO, Kuvendi i Shqipërisë voton unanimisht “pro”

Maqedonia e Veriut në NATO, Kuvendi i Shqipërisë voton unanimisht “pro”

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka votuar këtë të enjte pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

Projektligji “për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut” u miratua me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kreu i qeverisë Edi Rama e quajti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, një arritje historike.

Ndërsa për kreun e opozitës, Lulzim Basha, “problemi shqiptar në Ballkan merr zgjidhje me Kosovën e Pavarur në NATO dhe BE me tërësinë territoriale të pacenuar, si dhe me Maqedoninë në NATO dhe BE.”

Votimin unanim nga Kuvendi e përshëndeti edhe Presidenti Ilir Meta.

“E duartrokas votimin unanim nga Kuvendi të Protokollit të Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO! Prezenca e Kryetarit Xhaferi e nderoi këtë votë solemne. Vizioni dhe vendosmëria politike për t’i hapur rrugën europiane dhe euro-atlantike vendit meriton vlerësimin më të lartë dhe mikpritjen më të ngrohtë në familjen trans-atlantike! Krenar për rolin kyç që luajnë shqiptarët në këto vendimmarrje jetike për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë rajonin! Më të sigurtë dhe më të fortë sëbashku në NATO!”, shkruajti kreu i shtetit shqiptar, në një postim në rrjetet sociale.