Kryesore Maqedonia po, Shqipëria jo! FT: Disa në Bruksel po e mendojnë këtë...

Maqedonia po, Shqipëria jo! FT: Disa në Bruksel po e mendojnë këtë skenar

“Financial Times” i ka dedikuar një tjetër shkrim Ballkanit Perëndimor dhe gjasave për një zgjerim të mundshëm të Bashkimit Europian, ku thekson se, Merkel dhe Macron e bënë të qartë gjatë javës se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëjnë më shumë progres në agjendën e reformave.

“Disa vende të Bashkimit Europian dhe zyrtarë, mendojnë se takimi i kësaj jave në Berlin ishte një gabim. Ata shqetësohen nga mesazhi negativ që mund t’i jetë përcjellë Shkupit zyrtar”, shkruan Financial Times duke iu referuar qartë marrëveshjes së guximshme me Greqinë për të ndryshuar emrin.

Ndër të tjera, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian i druhen faktit se, një sprapsje e Brukselit mund të eleminojë nxitjen që liderët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë për të çuar reformat përpara, thuhet më tej.

Tërheqja e Brukselit, shton FT, mund të rrisë influencën ruse dhe kineze në rajon, ku pasiguritë politike janë në rritje të vazhdueshme.

Prestigjiozja shkruan gjithashtu se, për disa, Maqedonia e Veriut mund të marrë dritën jeshile, edhe pa Shqipërinë.

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian situata është më e mjegullt se kurrë më parë, me Europën që është e ndarë në dy kampe.

Edhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike ka bërë një analizë mbi zgjerimin e Bashkimit Europian, ku thotë se, gjasat për integrimin e rajonit janë të pakta.

Pengesat janë të mëdha, ndërkohë që entuziazmi i Europës perëndimore për t’u zgjeruar drejt rajonit, nuk duket të jetë aq i madh, thotë Instituti i Vjenës.