Sport Maradona: Pas humbjes 4-0 me Gjermaninë, Messi po qante si fëmijë

Maradona: Pas humbjes 4-0 me Gjermaninë, Messi po qante si fëmijë

Diego Armando Maradona dhe Lionel Messi kanë fituar, gjatë rrjedhës së karrierës së tyre të jashtëzakonshme, një vend brenda rrethit të kufizuar të futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në mënyra të ndryshme dhe në vite të ndryshme, ata kanë arritur me magjinë e tyre të shënjojnë epokat, në të cilat kanë qenë protagonistë.

Maradona i drejtoi Albiceleste nga pankina në Kampionatin Botëror 2010. Duke folur për “TyC Sports”, ai e pa Messin në sfondin e humbjes së rëndë 4-0, të pësuar në çerekfinalen e atij turneu ndaj Gjermanisë: “Pas asaj humbjeje 4-0 me Gjermaninë e pashë të qante si fëmijë. Ai po qante në dush, ndërsa të tjerët, që supozohej të ishin liderët e ekipit, tashmë po kërkonin një fluturim të hershëm për t’u kthyer në shtëpi. Mbaj mend që, pas asaj humbjeje, ishte njëri nga La Plata (fjalët e tij duket si i referoheshin Veron), që po kërkonte një avion për t’u kthyer, ndërsa Messi po qante. Këto nuk janë gjëra që m’i kanë thënë, por i kam parë vetë me sy”.